Ferma e kaprojve në Austri, modeli që po i jep jetë tokave malore dhe sjell fitime të larta
Dritare.net

AUSTRI – Në zemër të Alpeve Austriake, aty ku terreni i thepisur e bën të vështirë blegtorinë tradicionale, fermeri Franc Riegler ka ndërtuar prej më shumë se katër dekadash një model të suksesshëm që sot konsiderohet shembull i shfrytëzimit inteligjent të tokës malore.
Ferma, e vizituar ngagazetarja Rudina Xhunga në kuadër të ciklit "Gjëja e Gjallë të Mban Gjallë", shtrihet në 15 hektarë tokë dhe strehon 26 kaproj të kuq dhe 134 kaproj të racës Damwild, një specie e njohur për mishin cilësor dhe vlerat e larta ushqyese.
Franc Riegler tregon se vendimi për të krijuar fermën e kaprojve u mor 42 vite më parë, pasi terreni nuk ishte i përshtatshëm për rritjen e gjedhëve. Ndryshe nga lopët, kaprojtë ushqehen kryesisht me bimësinë natyrore të zonës, duke kërkuar shumë më pak ndërhyrje dhe kosto. Në të njëjtën kohë, ata pastrojnë shkurret dhe mirëmbajnë peizazhin, duke parandaluar degradimin e tokës.

Ferma funksionon sipas standardeve të prodhimit biologjik dhe respekton rregullat e rrepta austriake për numrin e kafshëve për hektar. Një pjesë e kafshëve shiten të gjalla për fermerë të tjerë, ndërsa pjesa tjetër përpunohet në mish të freskët dhe produkte të tjera premium. Mishi i kaprojve konsiderohet një delikatesë në treg, falë përmbajtjes së lartë të acideve yndyrore Omega-3 dhe mënyrës natyrale të rritjes së kafshëve.
Për Francin, përfitimi nuk është vetëm ekonomik. Ai thekson se pa kullotjen e kaprojve, këto sipërfaqe do të mbuloheshin nga pyje dhe shkurre, duke humbur funksionin e tyre bujqësor. Sipas tij, ky është një model që mund të zbatohet edhe në Shqipëri, ku mijëra hektarë tokë kodrinore dhe malore kanë mbetur të pashfrytëzuara.
Mesazhi që vjen nga Alpet Austriake është i qartë: edhe tokat që duken të papërshtatshme për bujqësi mund të kthehen në një burim të rëndësishëm të ardhurash, nëse shfrytëzohen me zgjuarsi, duke respektuar natyrën dhe potencialin që ofron çdo territor./L.F-dritare.net