
Pavlin Polia: Thethi më në fund u bë me rrugë. Ndikimi në turizem, i madh!
Dritare.net
I ftuar në një lidhje Skype në edicionin e lajmeve në Dritare Tv ditën e sotme ishte Pavlin Polia, i cili drejton një bujtinë në Theth. Polia foli në lidhje më rrugën e re që sapo ka përfunduar në Theth.
Sipas tij, kjo rrugë do të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve dhe problematikave që aktualisht kanë bujtinat që operojnë në këtë zonë.
“Unë kam vite që drejtoj dhe menaxhoj një bujtinë në zonën e Thethit, por gjithashtu merrem edhe me guidat për turistët që vijnë këtu. Duhet të them që përfundimi i rrugës ka ndikuar pozitvisht, sidomos edhe në periudhën e vështirë të pandemisë që turizmi ishte në krizë. Është rritur ndjeshëm turizmi pas përfundimit të rrugës sidomos fundjavave dhe turistët lokalë që kanë patur mundësi që të vijnë me makinat e tyre personale duke ulur edhe kostot normalisht. Kjo është diçka e mirë edhe për ne edhe për klientët, të cilët vijnë më rehat tani, nuk kanë nevojë të mundohen me makina të larta dhe të mëdha.
Ne shpresojmë që këtë vit por edhe në vazhdim të mund të jemi hapur edhe sezonin e dimrit. Ndërkohë ka një projekt për rehabilitimin edhe brenda fshatit, sepse Thethi është pjesë e projektit të 100 fshatrave por ende nuk ka filluar të zbatohet.
Përsa i përket rrugës që të çon drejt ujëvarës,është një shteg këmbësorësh dhe nuk është e nevojshme që të ndërtohet një rrugë për makinat sepse edhe turistët e shijojnë më shumë bukurinë natyrore si të ujëvarës por edhe të syrit të kaltër.
Ai gjithashtu përmendi edhe disa problematika që duken të vogla në parim por që nëse do të zgjidheshin do të ndihmonin banorët e zonës dhe pronarët e bujtinave të ofronin një turizëm më cilësor.
Duhet të themi që përmirësimi i infrastrukturës, ndikon dukshëm në rritjen e numrit të turistëve por edhe rehabilitimi i ujërave të zeza, kemi patur problem me energjinë elektrike që disa raste e kemi patur me shkëputje dhe na pengon që të gjitha paisjet të punojnë pa pushim. Këto janë disa gjëra të vogla që nëse rregullohen na japin një dorë të madhe. Gjithashtu kjo do të thotë shërbim më të mirë ndaj turistëve dhe një imazh më i mirë i turizmit për Shqipërinë.
Në këtë periudhë ka mbajtur koha shumë mirë dhe ka patur kërkesa. Këtë vit duket që është rritur ndjeshëm numri i turistëve edhe nga lindja e mesme, nga Arabia,Dubai dhe Egjipti. Ngjyrat që ofron Thethi gjatë vjeshtës janë të admirueshme dhe ajo që ne do na ndihmonte do të ishte ta kishim rrugën të hapur edhe gjatë dimrit,në mënyrë që puna mos të ndalojë.
Ajo që i tërheq më shumë turistët në këtë zonë është natyra, që është e paprekur, por nuk mungon edhe mikpritja dhe kulinaria nga banorët e zones, edhe e jona që punojmë këtu sigurisht. Kjo për ne ka qenë shpresë për të vazhduar të jetojmë këtu dhe të shërbejmë ashtu si duhet.” u shpreh ai./XH.XH-dritare.net

















