
Pamje apokaliptike nga Vlora, helikopteri lufton me flakët në pyllin e Poros!
Dritare.net
Prej ditës së hënë një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pyllin e Pishe Poros, pranë lagunës së Nartës në Vlorë. Flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe pishash, duke shkaktuar një panoramë apokaliptike tymi dhe zjarri, që shihet nga qyteti i Vlorës.
Sipas Bashkisë së Vlorës, zjarri ka marrë përmasa të rrezikshme dhe ka përfshirë një zonë me gjatësi 2 deri në 3 kilometra. Dyshohet se ai është i qëllimshëm, ndërsa terreni i vështirë e ka bërë të pamundur ndërhyrjen e shpejtë nga toka.
Forcat në terren dhe nga ajri
Në terren janë angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, shërbimi zjarrfikës i Vlorës dhe punonjës të bashkisë, të cilët po përpiqen të izolojnë flakët me mjete rrethanore, si sharra dhe lopata, për shkak të pamundësisë për të futur mjete të rënda në pyll.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit në pyllin e Poros në Vlorë, janë angazhuar katër helikopterë. Dy prej tyre janë helikopterë shqiptarë, ndërsa dy të tjerë janë ofruar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ata po kryejnë hedhje të vazhdueshme uji mbi vatrat aktive, por era e fortë dhe thatësira po e bëjnë të vështirë shuarjen e plotë.
Rreziku dhe thirrjet për ndërhyrje
Zjarri ndodhet pranë një prej zonave më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë, lagunës së Nartës, habitat i shpendëve të rrallë dhe pjesë e një ekosistemi unik mesdhetar. Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për ndërhyrje sa më të shpejtë dhe koordinim kombëtar, për të mos lejuar që flakët të dëmtojnë më tej pyjet dhe biodiversitetin e zonës.
Ndërkohë, pamjet e shpërndara nga ajri dhe nga toka tregojnë një situatë dramatike, ku tymi i zi mbulon qiellin e Vlorës dhe flakët duken sikur gëlltisin të gjithë pyllin e Pishe Poros./ dritare.net


















