
Operacioni “Ura” / GJKKO jep masat për 14 të arrestuarit
Dritare.net
Gjykata e Posaçme ka dhënë masat për 14 të arrestuarit e megaoperacionit “Ura”, në bashkëpunim me autoritetet italiane për goditjen e një grupi kriminal të trafikut të kokainës, heroinës si dhe pastrimit të parave.
Pas rreth pesë orësh seancë, gjyqtarja Rudina Palloj la në fuqi masat “arrest në burg” për 11 të dyshuarit, ndërsa për 3 të ndaluarit, Ervis Deti, Bexhet Mema dhe avokati Armand Tragaj, u ndryshua masa nga “arrest në burg” me “detyrim paraqitje.
Të ndaluarit e operacionit “Ura” janë Orgest Molla, Armand Tragaj, Altin Morina, Akil Ndrejaku, Musa Koça, Rando Aliu, Sokol Isteri Tatani, Bexhet Mema, Ervis Deti, Ligor Çombashi, Altin Pjetri, Ervin Zeqiri, Gëzim Thartori dhe Alfred Hysa.
Gjatë seancës, disa prej mbrojtësve ligjorë kërkuan të përcaktohet saktësisht vepra penale, pasi nuk pranojnë se të përfaqësuarit janë pjese e grupit kriminal. Sipas avokatëve, materialet e përcjella nga autoritetet italiane janë të vetmet prova ku mbështetet dyshimi i arsyeshëm që janë komunikimet e kryera ne aplikacionin “SKY ECC”.
Bashkë me numrin e personave nën hetim në Shqipëri, numëri total i urdhër-arresteve është 52. Sipas dosjes hetimore, organizata kishte si drejtues kryesor shtetasin Xhevdet Troplini.
Ndërmjetësit kryesor të Xhevdet Troplinit në këtë aktivitet dyshohet të kenë qenë Adi Çoba dhe Elvis Doci, i njohur si “Visi i Pojës”./K.C/dritare.net

















