
Nga Vunoi në Uashington. 99 vitet e Lilo Shantos!
Dritare.net
Kjo është historia e një gruaje 99-vjeçare që lindi në Vuno, në 16 shkurt 1923 dhe jeton në Uashington, nga ku dha një intervistë për emisionin Shqip nga Rudina Xhunga.
Lilo Shanto (Vasilika Kallushi) lindi në shkurt 1923 në Vuno, fëmija i katërt i Kiço Shantos. Shtëpia ku lindi ishte me 11 dhoma, dy kate e bodrum.
Kati i tretë u prish nga tërmeti. Është dhe sot në Vuno, por kanë mbetur vetëm dy dhoma, pasi u dogj nga lufta. Shtëpia është afër shkollës dhe kishës së Shën Spiridhonit (me atë qiparisin qindra vjeçar mbirë në ballkon te kambana) në lagjen Kondraqe, që ende, 99 vite me pas, asaj i dalin në ëndërr.
- Me trup jam këtu, por me mendje e shpirt, jetoj në Vuno”, thotë në Shqip, zonja Shanto, gjatë një interviste të bukur, të pazakontë dhe emocionuese.
Ajo tregon për Vunoin ku lindi, për borën e parë, 1 mars, për babain e saj që emigroi në Greqi dhe pastaj në Amerikë.
-Ai mbahet mend në ato krahina si burrë i mençur. Ka thënie e bëma të tij. I emigruar në SHBA, vinte çdo tre vjet në fshat te familja e tij. Kishim toka, ullishte, fabrikë vaji, dhi, dhen, djathë, qumësht. Vaj sidomos kishim aq shumë, sa ende e kujtoj."
Ushqimi dhe ajri i zonës, është sipas saj një nga arsyet e jetës së gjatë dhe kujtesës së mirë. Lilo mban mend këngë e vaje të thëna nga bashkëfshatarët të ndodhura përpara se te lindte ajo, për shembull për gripin spanjoll.
Ndoqi shkollën e Vunoit me mësuese shkodrane. Nga mësuese vunjotëse, mësoi qëndisje. E vogël fare u këndonte mëma ‘Koçiu e Dhoqina’. Lufta italo-greke i çoi disa muaj në Shkodër.
Vunoi kish njerëz te shkolluar e me mend, kujton Lilo Shanto. Doktor Grillo i shëroi fruthin. Motra e Spiro Comores i mësoi të qëndisë. Me Zaho Kokën luante. E mban mend ditën kur ai me shokët vranë Tenente Moretin dhe nuk harron ditën, kur Zahon e vranë gjermanet te Kisha e Shën Pjetrit.
Kujton këngët e vajit të grave të Vunoit.
"Gratë e Vunoit nuk këndonin, ato vetëm vajtonin. Zonja Shanto i sjell ne "Shqip " vargjet e mëmës së Odhise Grillos, vajin për Janaq Konomin, dhe vajin e nënës për Erkole Kolekën, që ishte vëllai i Aneta Kolekës ( Aneta Rama).
Në kohën e luftës u martua me himarjotin Thanas Kallushi, në një kishë në Himarë. (Dhe Vunoi kishte 22 Kisha).
Vajtën në Elbasan ku i shoqi (i cili kishte bërë shkollën tregtare në Vlorë dhe mbaruar në Korfuz shkollën Italiane ), kishte një dyqan. Mbajti mend këngë edhe nga atje.
Nga Elbasani shkuan në Tirane, Kuçovë burri ekonomist, pastaj në Tiranë. Dhe tani në USA. Burri vdiq përpara se te shkonin të gjithë bashke ne USA.
La pas tre fëmijë, të shkolluar, martuar me nipër mbesa. Tani Vasilika Shanto është stërgjyshe, edhe katragjyshe madje me nipërit e vajzave dhe stërnipërit e vajzës së madhe.
Ishte nusja e djalit me të cilin ajo jeton në Uashington, që i kërkoi gazetares Rudina Xhunga, ta intervistonte vjehrrën e saj.
"Që nga martesa ime në 1984, kemi jetuar bashkë me prindërit e tim shoqi dhe unë e njoh Lilon si patriote, pasionante, krenare por me vetëpërmbajtje, të edukuar, me sedër. Fanatike për ndjekjen e zakoneve.
Ajo di greqishten e folur shumë mirë, pak italisht dhe kur erdhi këtu në moshën 70 vjeçare, mësoi dhe pak spanjisht.
Por për t’u vlerësuar është e folura vunjotëse dhe kujtesa e saj e mrekullueshme. Ato që ka regjistruar në kujtesë mjafton t’ia fillosh dhe e vazhdon deri në fund.
E ka vështirë të flasë në mënyrë të përmbledhur. Disa këngë nuk di t’i shpjegojë, por ama i mban mend.
“Këngë të Lilos” janë shkruar në letër nga vetë ajo në 2009, më pas nga vajzat e saj, dhe tani nga unë edhe në audio. Edhe vjehrra ime është një shqiptare e mrekullueshme, nga ata që pëlqeni ju të intervistoni”- i shkroi Rudinës, Enrieta, nusja e djalit të kësaj zonje 99-vjeçare, që foli në Shqip duke dhuruar shumë emocion, për shqipen e bukur dhe dashurinë për Shqipërinë. /Dritare.net

















