Aksident në Lushnje-Berat, mjeti i tonazhit të rëndë përmbyset në rrugë
Dritare.net

Një mjet i tonazhit të rëndë ka dalë nga rruga në aksin Lushnje–Berat, në afërsi të fshatit Barbullunjë. Sipas informacioneve të para, pas daljes nga një kthesë, kamioni i ngarkuar me çakull, që i përkiste një kompanie ndërtimi, ka përfunduar në kanalin kullues në anën tjetër të rrugës.
Drejtuesi i mjetit ka mbetur i plagosur rëndë dhe është nxjerrë nga kabina me ndihmën e forcave zjarrfikëse të Lushnjës. Ai ka qenë në gjendje të vetëdijshme në momentin e nxjerrjes dhe është transportuar me urgjencë në spitalin e Lushnjes për trajtim mjekësor.
Sipas të dhënave paraprake nga policia rrugore, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpërthimi i gomës së përparme gjatë lëvizjes, çka ka bërë që drejtuesi të humbasë kontrollin e kamionit. Fatmirësisht, në momentin e ngjarjes nuk ka pasur automjete të tjera të përfshira.
Efektivët e qarkullimit rrugor ndodhen në vendngjarje, duke kryer veprimet hetimore dhe duke menaxhuar trafikun në segmentin Lushnje–Berat, ku qarkullimi po zhvillohet me kujdes të shtuar./dritare.net