Na ndiqni edhe në

Opinione

Pema që nuk u bë dot pyll!

Pema që nuk u bë dot pyll!

Nga Andi Bejtja

Nuk do ta harroj kurrë 9 janarin e vitit 2004. Isha drejtor i lajmeve në Top Channel dhe, falë këtij televizioni, u zbulua dhe u raportua kjo tragjedi që i kushtoi jo pak Fatos Nanos në karrierën e tij. Dhe ishte koha kur uleshim nëpër tavolina së bashku, dhe mund ta kishte bërë edhe me një gjysmë telefonate, por absolutisht jo.

Në një episod tjetër, po shkruaja shkrimin me titullin “Nano ik”, kur ndërkohë më ra telefoni nga një prej stafit të tij, që bashkë me disa persona të shoqërisë civile nga USA, na ftonte për darkë. “Nuk mund të vij,” i thashë, “sepse nesër do nxjerr këtë shkrim me këtë titull. E kam të pamundur,” i thashë. Pas pak më erdhi një SMS: “Shkrimin mos e hiq dhe për darkë hajde.”

Janë dy episode që flasin shumë. Ky ishte Fatos Nano. Fytyrën e tij e kishte edhe Partia Socialiste në ato vite. Kishte nga ata që këtë tolerancë të tepruar mundoheshin ta interpretonin edhe si indiferencë, por, sado që mundoheshin t’i përzienin këta dy elementë – me dashakeqësi ose jo – nuk ia zbehnin dot minimumin: fytyrën e qytetarisë.

Toleranca dhe qytetaria janë pemë që nuk mbijnë kollaj në këtë truall, sidomos pas disa viteve burg...

Të qoftë e lehtë, miku im, Fatos Nano. Kush të kuptoi, të kuptoi; kush s’të kuptoi, gjithsesi ka sërish kohë të reflektojë sa herë e sheh veten në pasqyrën e kohës që po jetojmë, duke ia zvogëluar gjithmonë e më shumë të ashtuquajturat “vese”, që duken si kokrriza mikroskopike rëre në trungun e madh të Pemës së Qytetarisë, e cila në këtë vend nuk mundi kurrë të bëhet pyll./dritare.net