Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Berisha: Kurrë nuk do të gjeni urdhër për 21 janarin!

Berisha: Kurrë nuk do të gjeni urdhër për 21 janarin!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas thirrjes në SPAK të ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, në lidhje me hetimet për ngjarjen e 21 Janarit 2011, ku humbën jetën katër protestues para Kryeministrisë.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se zbardhja e plotë e çështjes është në interesin e tij maksimal dhe të Partisë Demokratike, ndërsa mohoi çdo pretendim se ka ekzistuar ndonjë urdhër politik për hapjen e zjarrit ndaj protestuesve.

“Nga viti 2013 deri në vitin 2025, njeriu që ka penguar dosjen e 21 Janarit ka vetëm një emër, dhe ai është Edi Rama. Hetimi dhe zbardhja e kësaj çështjeje është interesi më maksimal i Sali Berishës dhe PD-së,” – deklaroi Berisha.

Ai theksoi se Garda e Republikës ka vepruar në përputhje me ligjin, i cili, sipas tij, ishte miratuar nga mazhoranca e asaj kohe.

“Nuk do mund të gjejnë kurrë që ka pasur një urdhër, sepse s’ka pasur. Ishte demonstrata më e dhunshme, me agjendë politike për përmbysjen e pushtetit,” – shtoi Berisha.

Ish-kryeministri theksoi gjithashtu se, nëse do t’i vijë një fletëthirrje nga SPAK, ai do të paraqitet, duke kujtuar se është bashkëpunuar sa herë që është thirrur nga organet e drejtësisë.

“Në çdo fletëthirrje që të më bëhet, jam thirrur në SPAK sa herë më kanë thirrur, do e bëj,” – u shpreh Berisha./L.F-dritare.net