
Nga 12 tetori rregulla të reja për hyrjen në Shengen. Ja çfarë duhet të dini!
Dritare.net
Ambasada e Bashkimit Evropian në Tiranë ka publikuar një njoftim të rëndësishëm për qytetarët e vendeve jashtë BE-së, mes tyre edhe shqiptarët që udhëtojnë për vizita afatshkurtra në 29 vendet e Zonës Shengen. Duke filluar nga 12 tetori 2025, në fuqi hyn Sistemi i ri i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES), i cili do të regjistrojë automatikisht të dhënat e pasaportës, datat e hyrjes dhe daljes, si edhe të dhënat biometrike (shenjat e gishtave dhe imazhin e fytyrës). Ky proces, thekson Ambasada, nuk sjell kosto shtesë dhe nuk kërkon asnjë veprim paraprak nga udhëtarët.
Reagimi i Ambasadës së Bashkimit Europian në Tiranë
"Përditësim i rëndësishëm për qytetarët e vendeve jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë ata shqiptarë, që udhëtojnë për qëndrim të shkurtër në 29 vendet e Zonës Shengen!
Nga data 12 tetor 2025, një sistem i ri i menaxhimit të kufijve, Sistemi i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System), do të fillojë gradualisht të regjistrojë:
të dhënat nga dokumenti i udhëtimit
datat e mbërritjes dhe të largimit
të dhënat biometrike (shenjat e gishtave dhe imazhi i fytyrës)
Nuk kërkohet të bëni asnjë veprim para udhëtimit. Nuk ka asnjë tarifë shtesë.
Për më shumë informacion nga burimi zyrtar
https://travel-europe.europa.eu/ees.", thuhet në njoftim./K:C/dritare.net

















