
Nëse do ta përkufizonim Përmetin me një aromë, do të ishte ajo e trendafilit të sapoçelur në mëngjes. Nëse me një shije – ajo e glikosë së trendafilit, e përgatitur me petale të mbledhura me dorë, zier në sheqer e limon dhe ofruar me dashuri në çdo shtëpi përmetare.
Përmeti, qyteti i pastër, i gjelbër dhe i kujdesshëm, është më shumë se një destinacion turistik. Është një mënyrë e të jetuarit, ku natyra nuk është vetëm peizazh, por pjesë e përditshmërisë. Dhe këtë e ndjeu fort edhe gazetari britanik Robert Hackman, i cili gjatë xhirimeve të dokumentarit të tij për Dritare TV, u ndal në restorantin Trifilia, ku përjetoi shijen më të veçantë të qytetit: glikonë e trendafilit.
“This wasn’t just jam. This was a fragrant poem made in Përmet.” – u shpreh ai, me sinqeritetin e dikujt që po përjeton një kujtim të ri, por që ndihet sikur ka qenë gjithmonë pjesë e tij.
Në këtë përvojë e shoqëronte Edjan, mikpritës përmetar dhe ruajtës i traditës, i cili i tregoi Robertit se çdo petalë trendafili për gliko mblidhet në agim, me kujdes të madh, vetëm kur lulja është në kulmin e aromës së saj. Sepse kështu është Përmeti: kujdeset për çdo detaj të jetës, ashtu siç kujdeset për aromën dhe shijen e çdo glikoje që i ofron mysafirit.
Në këtë qytet, edhe një pjatë e vogël është rrëfim. Dhe në këtë rrëfim, një i huaj nuk është vizitor – është i ftuar në tryezën e shpirtit përmetar./dritare.net

















