
Alarm për shalqirin/ Erion Braçe: Blijeni tani të shpëtojmë bujqit!
Dritare.net
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur alarmin për gjendjen e rënduar të prodhuesve të shalqinit në Divjakë, duke bërë një thirrje të drejtpërdrejtë: “Blini shalqi tani, jo vetëm se është i shëndetshëm, por për të shpëtuar bujqit!”
Sipas Braçes, aktualisht çmimi i shalqinit në Divjakë ka rënë në 6 lekë për kilogram, një vlerë që nuk mbulon as kostot e vjeljes, duke vënë në rrezik të gjithë punën dhe investimin e bujqve për muaj me radhë.
“Shalqini është fruti i gushtit! I shëndetshëm, veçanërisht në ditët e nxehta – ndihmon në gjithçka! Por sot është në krizë të thellë. Nuk del as kostoja e punëtorit për ta vjelë. Ka marrë mund, sakrifica dhe para-shpenzime për t’u prodhuar,” – shkruan Braçe.
Ai u bën thirrje qytetarëve të mos e anashkalojnë këtë produkt kaq të rëndësishëm për stinën dhe shëndetin, por edhe për të mbështetur drejtpërdrejt bujqësinë vendase.
Braçe ka një apel të veçantë edhe për bizneset, veçanërisht hotelet, restorantet dhe baret në zonat bregdetare:
“Bëjeni shalqinin pjesë të menusë masive! Jepeni edhe jashtë faturës, si dhuratë me mëngjesin, drekën apo darkën – nuk ju kushton asgjë!”
Në përfundim, ai ngre shqetësimin madhor për të ardhmen e bujqësisë nëse nuk ndërmerret asnjë reagim:
“Duhet të shpëtojmë bujqit, që ata të prodhojnë vitin tjetër e ne të ushqehemi! Pa bujq, nuk ka ushqim të mirë.”/L.F-dritare.net

















