
Ndërtime pa leje në Theth, IKMT shemb një objekt dy katësh në zemër të parkut kombëtar
Dritare.net
Thethi ka qenë në qendër të vëmendjes këto ditë për ndërhyrjen e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për të shembur ndërtime pa leje në një nga zonat më të mbrojtura të vendit. Aksioni i IKMT ka vijuar edhe këtë pasdite, ku është shembur një godinë dy katëshe e ndërtuar në mënyrë të paligjshme brenda parkut kombëtar të Thethit.
Pamjet e siguruara me dron tregojnë ndërhyrjen e fadromave dhe mjeteve të tjera të IKMT-së, të cilat kanë shembur një objekt dy katësh me strukturë beton-arme, i ndërtuar pa leje dhe në kundërshtim me rregullat mjedisore.
“Në kuadër të operacionit për zbatimin e ligjshmërisë në zonat e mbrojtura, është realizuar prishja e një objekti dykatësh me strukturë beton-arme, i ndërtuar pa leje dhe në kundërshtim me rregullat mjedisore”, thuhet në deklaratën zyrtare të IKMT.
Ky aksion është pjesë e një operacioni më të gjerë për të ndaluar betonizimin e paligjshëm në një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin dhe trashëgiminë natyrore në vend. Autoritetet paralajmërojnë se ndërhyrjet do të vijojnë edhe në ditët në vijim./K.C/dritare.net

















