
Namik Dokle: I kam dhënë duart politikës. Nuk mund të hapja dy herë, unë, parlamentin!
Dritare.net
Namik Dokle i ka dhënë fund karrierës politike, dhe ka bindjen që nëse shkëputesh një herë, rikthimin nuk duhet ta mendosh. I ftuar në emisionin Kjo Javë me gazetaren Nisida Tufa, foli për shkëputjen nga politika dhe angazhimin e tij si shkrimtar.
“Politika dhe letërsia janë shumë xheloze dhe për një kohë të caktuar duhet t’i përkushtohesh plotësisht njërës apo tjetrës. Të dyja njëherësh nuk bëhen. Pastaj një politikan kur e lë politikën nuk ka përse të merret më me politikë. Është një shembull ai i Felipe Gonzales në Spanjë, pasi i bëri 14 vite kryeministër e la politikën, dhe kur e pyetën çfarë bën tani ai tha: po përpiqem të rikuperoj statusin tim të qytetarit të thjeshtë. U bënë gjashtë vite që kam lënë politikën. Që kur u botua romani i parë filluan pyetjen politike. Kisha deklaruar se nuk kandidoj më dhe më pyesnin çfarë mendon për politikën dhe unë i thashë gjysmën e titullit të romanit tim, “Vajzat e mjegullës”, pra vajzat janë jeta jonë dhe mjegulla politika.
Nuk kam pasur ndonjë synim të bëhem politikan, por në atë periudhën e ndryshimeve të mëdha, shumëkush nuk kishte menduar të bëhej politikan, por u futën shumë mjekë, inxhinierë…dhe me zuri edhe mua ai kamxhiku i politikës. Romanin e parë e kam menduar vite të tëra dhe u ula ta shkruaj vetëm atëherë kur i dhashë fund politikës. Kur vendosa që nuk do kandidoj më i kam thënë shokëve të mi, drejtuesve të grupit parlamentar, ditën e parë të parlamentit, ditën e parë që u zgjodh kryetari i parlamentit. Unë si deputeti më i vjetër e kisha për detyrë të hapja parlamentin. Ishte Berisha, por meqë kishim fituar ne zgjedhjet ai nuk pranoi dhe e hapa unë. Kur unë ftova kryetarin të zërë vendin e tij zbrita në sallë dhe i thashë shokëve të mi që nuk kandidoj më. Pse thanë? Sepse po të kandidoj prapë do të më duhet të hap parlamentin tjetër përsëri dhe nuk më vjen mirë që parlamentin ta hap dy herë. Boll e hapa njëherë. Po me ca do merresh thanë? Do merrem me letërsi. Kjo është jeta ime tani dhe jo politika. Unë kam dalë dhe nuk hyj më. Unë nuk tensionohem, por duke bërë pyetje politike ju më sillni atë ndjesinë politike. Politika është e tensionuar, ndërsa letërsia nuk është e tensionuar, por është e bukur. Po të jetë për politikë, unë do botoja ditarin tim që është 4 mijë faqe. Nuk dua ta botoj tani. Patjetër që do ta botoj ndonjëherë, por tani për tani jo”, tha Dokle./L.F-dritare.net

















