
Nga Ben Blushi
Sot Skëndërbeu mbush 620 vjet dhe sa më shumë lexoj aq më shumë bindem se Shqipëria është krijuar nga shpata e tij.
Ai arriti shumë si luftëtar, si diplomat dhe si prijës megjithëse fati nuk e desh që ta kthente Shqipërinë në një Mbretëri sic e donte koha.
I ngarkuar me luftëra, me konflikte, me pusira dhe rrethime Skënderbeu pati një jetë të shkurtër civile. Ai u martua vonë dhe lindi vetëm një djalë që ishte ende i mitur kur Skënderbeu vdiq në vitin 1468. Vëllezërit dhe nipërit e tij të shumtë, ose ishin vrarë ose ishin të pafuqishëm ose e kishin tradhëtuar në favor të turqve, sic ndodhte zakonisht në Mesjetë.
Nëse Kastriotët do kishin arritur të krijonin një mbretëri të trashëgueshme, që vazhdonte në disa breza, historia e Shqipërisë do kishte qenë ndryshe. Pushtimi osman nuk do ishte aq i gjatë dhe rezistenca që u shua pas vdekjes së Skënderbeut, do kishte vazhduar përreth një prijësi të ri nga gjaku i tij mbretëror.
Mitin e Skënderbeut turqit e zhdukën për 400 vjet. Varrin ia prishën, kockat ia tretën, për të as u shkrua dhe as nuk u fol më. Zhdukja e tij përfundimtare ishte fitorja më e madhe e turqve dhe sikur rilindasit të mos e kishin nxjerrë nga pluhuri sot do ishim një popull pa histori.
Pa Skënderbeun librat tanë të historisë do ishin bosh, historia jonë do ishte një histori nënshtrimi.
Në tekstet e shkollave heronjtë do ishin pushtuesit dhe jo kryengritësit, tradhtarët dhe jo rebelët, turqit dhe jo shqiptarët, Hamza Kastrioti dhe jo Gjergj Kastrioti.
Prandaj sa herë shkoj në sheshin Skënderbej dhe fotografoj statujën e tij madhështore,mendoj se sa shumë i detyrohemi këtij njeriu mbi monumentin e të cilit jo vetëm ne por edhe zogjtë janë të lirë, sic ndodh në këtë foto që vendosa të postoj për ditlindjen e tij të 620./Marrë nga Facebook-u i autorit

















