
Miq, kolegë e bashkëpunëtorë i japin lamtumirën e fundit gazetarit dhe publicistit, Artur Zheji!
Dritare.net
Miq, kolegë, bashkëpunëtorë e qytetarë po i japin lamtumirën e fundit gazetarit dhe publicistit, Artur Zheji.
Homazhet nisën në orën 10:00 në Universitetin e Arteve të Bukura, aty ku Zheji u diplomua për regjisurë, dhe pritet të vijojnë deri në 12:00. Një kurorë me lule ka dërguar edhe kryeministri Rama.
Mes shumë personaliteteve që kujtuan figurën e Artur Zhejit, në homazhet që u mbajtën në Univeristetin e Arteve të Bukura, ishte edhe aktori Timo Flloko. AI e përshkroi Zhejin si një personalitet të jashtëzakonshëm dhe një erudit të rrallë.
"Ishte personalitet i dimensioneve të jashtëzakonshme. Nuk flas në prerjen politike të çështjes, apo si një analist i jashtëzakonshëm në televizione e në media. Arturi ishte një artist i madh në shpirt, me një sensibilitet të padallueshëm, të dukshëm, por të thellë e të brendshëm. Një erudit i përmasave të mëdha. Unë i kam dhënë mësim, leksionet i përgatisja për të më shumë, sepse dijet e tij ishin të tilla sa dinte gjithçka. Ishte djali i Petro Zhejit, por Arturi ishte një bir i tij, kishte edhe një nënë të nderuar, një artiste të madhe. Kam pasur miqësi të afërt. Iku shumë shpejt”, tha Flloko.
Ish-ministri Paskal Milo kujtoi momentet e para të njohjes me Zhejin dhe bashkëpunimin e gjatë me të.
“Me Zhejin kam rreth 27 vjet që jam njohur, më ka marrë intervistë e parë në gazetar në romë, ku unë isha ministër i jashtëm dhe ai punonte për radion Radicale. Që aty vendosëm bashkëpunim miqësor që vazhdoi gjatë gjithë periudhës si ministër i jashtëm, por në mënyrë të veçantë pas vitit 2002 kur ai u përfshi në mënyrë aktive në median shqiptare si drejtues i disa programeve të rëndësishme në kanale të ndryshme shqiptare, për të arritur atë që sot opinion publik e nderon, në majat e publicistikës shqiptare. Me një stil të veçantë, fjalor tejet të përpunuar, ndërthurej mes një gazetarie ekspresive por edhe mendimi të thellë filozofik, Zheji është një nga gazetarët më të shquar që është marrë me çështjen kombëtare në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë për Kosovën”, tha Milo.
Në homazhet për gazetarin Artur Zheji, shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj ka kujtuar figurën e tij me fjalë të ndjera, duke vlerësuar stilin e veçantë dhe elegancën që Zheji solli në debatin publik.
“Ditë e trishtuar për gazetarinë, publicistikën, miqtë e Turit. Kam pasur fatin ta njoh herët dhe të punoj me të në disa media të shkëmbej mendime herë pa shere, për artin, kulturën, letërsinë, historinë. Ishte një intelektual me interesa shumë të gjëra, tani doja të nënvizoja një gjë që ka të bëjë me Turin. Ai themeloi elegancën në analizën politike, kishte një bazament kulturor që jo shumë gazetarë e kanë dhe kjo e ndihmoi të krijonte stilin e vet autentik që bashkon thellësinë dhe elegancën, ai nuk linte asgjë pa thënë, por i thoshte në mënyrë të tillë që mos të ishin vrastare, të ishin ndikuese ,por jo vrastare, jo goditëse”, tha Zogaj.
Regjisori Kiço Londo ka shprehur dhimbjen e tij me një mesazh prekës, duke kujtuar figurën e mikut.
"Vijmë nga një ajër, nga krahinë, nga një fshat, nga një gjak. Vijmë nga i njëjti kurs, në këtë shkollë të mrekullueshme edhe sot është një ditë e thellë zie. Është një ditë ku të gjithë duhet të qajmë për dritën që humbëm, për thellësinë e mendimit që humbëm, për Artur Zhejin që jo vetëm që vinte nga një gjen gjeniu, por kishte edhe një damar të fortë gjeniu në vetvete. Dritë e trishtë që humbëm, por dita që Arturi po lë pas shprehej të na ndihmojë të bëhemi më të mirë", tha Kiço Londo.

















