Na ndiqni edhe në

Editorial

Si vdiq vetëm dhe në varfëri, Marigoja e Flamurit

Si vdiq vetëm dhe në varfëri, Marigoja e Flamurit

Nga Rudina Xhunga

Është varri i një gruaje të madhe, i një zonje të madhe, e cila erdhi nga Korça dhe u martua në Vlorë. I kushtoi jetën rilindjes kombëtare, Pavarësisë së Shqipërisë. Marigoja u varros e vetme nga kisha, në këtë manastir. Do ju tregoj pak nga historia e saj që të gjithë ju që vini në manastir, të merrni me vete disa karafila të kuq sikundër unë bëra sot, dhe t’ia sillni, për t’i thënë që nuk të kemi harruar kurrë Marigo.

Marigo Posio është një nga figurat më të rëndësishme të rilindjes kombëtare, është një nga emrat më të rëndësishëm të pavarësisë së Shqipërisë. Por ajo përmendet kryesisht dhe vetëm për një gjë: flamurin. Si gruaja që qëndisi flamurin shqiptar. Në fakt ajo nuk ishte rrobaqepëse as qëndistare, ajo ishte revolucionare për kohën. Ajo erdhi nga Korça dhe u martua me një devollit. Të dy u vendosën në Vlorë. Ata jetuan të dy në Muradije në shtëpinë ku u qëndis flamuri atë natë, kur të nesërmen do të shpallej pavarësia dhe Ismail Qemali nuk kishte një flamur. U qëndis në shtëpinë e saj në Muradie, dhe u dorëzua të nesërmen dhe u ngrit ne ballkonin e pavarësisë. Më pas ishte Marigoja që u kujdes që çdo institucion të kishte flamurin kombëtar, e bëri vullnetarisht. Sikundër e bëri vullnetarisht shumë nisma të tjera, drejtoi gratë në Vlorë, drejtoi një gazetë të rëndësishme siç ishte shpresa, i kushtoi jetën mendimit, zhvillimit të gruas, i kushtoi jetën Vlorës, i kushtoi jetën Shqipërisë. Në këtë përpjekje gjigande që mund të bëhej asokohe, ajo humbi fëmijët e saj. I humbi njëri pas tjetrit, të gjithë të vegjë. Ndërsa fëmijët vdiqën, ajo nuk ia doli dot. Dhimbja e madhe, tuberkulozi më pas varfëria, vdiq vetëm.

Ndaj ishte kisha që e mori dhe e varrosi këtu. Pra arsyeja pse është varrosur në Manastirin e Zvërnecit, nuk ka të bëjë me nderimin, siç mund të mendojë dikush, por me harresën, vetminë. Faktin që ajo grua, vdiq në vetmi dhe varfëri.

Përpara se të vdiste u fol për të dhe u kërkua ndihmë në mënyrë dëshpëruese. Ishte *Kristo Floqi* një i afërm i familjes dhe gazetar i rëndësishëm për kohën, i cili tha si ka mundësi që të gjithë veteranët, të gjithë njerëzit që i kushtuan jetën pavarësisë, morën pension dhe e vetmja që nuk mori ishte Marigoja. Kjo është e pafalshme. Por mesa duket në vesh të shurdhër. Ajo vdiq vetëm, vdiq në varfëri, nuk ia doli. Do të doja që shumë kush që e dëgjon këtë histori, të tjerë e kanë lexuar, një pjesë jo, e mira është t’i tregojmë historitë tona. Historitë e lavdisë dhe harresës, me qëllim që kush vjen në këtë vend, të marrë me vete tre karafila të kuq, dhe t’ia sjellë një zonje të madhe shqiptare, për të treguar që nuk e kemi harruar.

Sepse nuk ka se si ta harrojmë Marigo Posion./dritare.net

View this post on Instagram

A post shared by Dritare Tv (@dritare_tv)