
“Mos ikni, pashë ëndërr të keqe”/ Si i ati shpëtoi nga tragjedia djalin 10-vjeçar!
Dritare.net
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme zonën e Sarandës, ku dy motra nga Delvina, Elvisa Dhimaku, 22 vjeç dhe Rezina Dhimaku, 20 vjeç, humbën jetën tragjikisht pas një aksidenti rrugor.
Të rejat ishin nisur për të pirë një kafe në qytet së bashku me shoqen e tyre, Antonelën. Para se të largoheshin, ato kishin këmbëngulur të merrnin me vete edhe vëllain e tyre 10-vjeçar, por babai nuk i ka lejuar, duke u thënë se ishte i lodhur. Edhe gjyshja kishte tentuar t’i ndalonte, duke u shprehur se kishte parë një ëndërr të keqe, por vajzat vendosën të niseshin.
Sipas dëshmitarëve, shkak i aksidentit është bërë një parakalim i gabuar i një mjeti tjetër, që përfundoi në përplasje kokë më kokë me makinën ku udhëtonin motrat. Përplasja ka qenë fatale, duke i marrë jetën menjëherë dy vajzave, ndërsa mjetet u dëmtuan rëndë dhe njëri prej tyre u përmbys në rrugë.
Familja Dhimaku, e njohur në fshatin Kopaçez të Delvinës për jetesën modeste, është në zi të thellë. Babai i vajzave, Rizal Dhimaku, i njohur ndryshe si Zotja, siguron të ardhurat duke mbledhur sherebelë dhe ka rritur me sakrifica fëmijët e tij.
Elvisa dhe Rezina ishin studente të Mjekësisë dhe kishin ëndrra të mëdha për të ardhmen, të cilat u ndërprenë tragjikisht në moshë shumë të re./L.F-dritare.net

















