
Ministri Vengu në Delvinë: Situata e zjarreve përmirësohet, gatishmëri e plotë në terren
Dritare.net
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndodhet pranë banorëve të fshatrave Vergo, Palavli dhe Kopaçëz në Delvinë, ku zjarret masive kanë rrezikuar banesat dhe jetët e qytetarëve. Në një reagim zyrtar, ai ka bërë të ditur se situata paraqitet më e përmirësuar pas një ndërhyrjeje të përqendruar nga ajri dhe toka.
Sipas Vengut, katër helikopterë kanë kryer fluturime të pandërprera për të kufizuar përhapjen e flakëve, ndërsa mbi 120 forca të emergjencës, ushtrisë dhe Policisë së Shtetit janë angazhuar në terren për të ndihmuar dhe orientuar banorët.
"Pranë banorëve të fshatrave Vergo, Palavli dhe Kopaçëz, në Delvinë, ku pas ndërhyrjes së përqendruar të forcave, kemi një situatë të përmirësuar. Katër helikopterë janë angazhuar me fluturime të pandërprera në tre fshatrat e zonës, për të kufizuar përimetrin e flakëve, ndërsa mbi 120 forca po operojnë në terren për të orientuar dhe mbështetur banorët.Duhet të sigurohemi që mbrëmja të kalojë sa më e sigurt për ta, ndërsa mbetemi në gatishmëri të plotë, pasi orët në vijim pritet të jenë të vështira për shkak të temperaturave të larta. Shefi i Komisariatit të Delvinës ka ndërhyrë për të ndihmuar banorët në kushte shumë të vështira, duke kryer një akt të vërtetë heroik. Ai është lënduar gjatë operacionit dhe po merr ndihmën shëndetësore në spital. I urojmë shërim të shpejtë dhe jemi mirënjohës për guximin e treguar çdo efektivi.Falenderime të veçanta për forcat zjarrfikëse, Policinë e Shtetit dhe partnerët tanë që po na ndihmojnë në këtë situatë të vështirë."

















