Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çmimi Lumo Skëndo për Rexhep Qosjen, akademiku: Është nderim i veçantë që më dhurohet!

Çmimi Lumo Skëndo për Rexhep Qosjen, akademiku: Është

Nga Rexhep Qosja

Falënderoj përfaqësuesit e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, si dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës, që veprën time “Për lirinë, të Vërtetën dhe të Drejtën”, e kanë shpallur Vepra më e Mirë Publicistike dhe Eseistike për vitin 2024, duke e shpërblyer e Çmimin “Lumo Skëndo”, që është pseudonim i Mit’hat Frashërit. Çmimi “Lumo Skëndo”, me të cilin vlerësohet vepra ime në fjalë, është nderim i veçantë që më dhurohet, në moshën në të cilën jam.

Është kënaqësi për mua, që këtu përpara jush, të mund të them disa fjalë për Lumo Skëndon, për Mit’hat Frashërin. Ai ishte nip i Naimit dhe Sami Frashërit. Ai ishte pjestar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai, përpos me pseudonimin e shumëpopullarizuar Lumo Skëndo, ishte i njohur edhe me pseudonimet Mali Kokojka dhe Ismail Maloismani. Mit’hat Frashëri, Lumo Skëndo, ishte personalitet me dhunti, me kërshëri dhe me ide të gjithmonshme krijuese. Ai ishe veprimtar politik dhe diplomatik, udhëpërshkrues, përkthyes, bibliofil.

Ai studio farmacinë, por nuk e përfundoi dhe nuk e përfundoi, në radhë të parë, për arsye se gjithë interesimin e tij, më parë se shëndetit trupor, ia kushtoi shëndetit mendor, më parë se pasurisë trupore e shëndetësore, ia kushtoi pasurisë mendore. Fryt i përkushtimeve të tilla, të hershme janë revistat e njohura “Liria” dhe “Dituria”. Ai morri pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, ku u zgjodh edhe kryetar i kongresit dhe nënkryetar i komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Ai morri pjesë, në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, si përfaqësues i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, së bashku e Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin dhe Salih Gjukën.

Ai ishte anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919-1920. Ai përfaqësoi Shqipërinë, në Lidhjen e Kombeve, në vitin 1920. Ai, që herët e fillo bashkëpunimin me revistën “Albania” të Faik Konicës, ku botoi shkrimin e tij të parë, kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Një vit më vonë filloi bashkëpunimin me Kristo Luarasin dhe revistën e tij enciklopedike “Kalendari Kombiar”, një botim shumëvjeçar dhe me shumë e shumë e shumë shkrime të Lumo Skëndos. Më 2014-ën do të botohej në 4 vëllime solemne nga Fondacioni “Al Sar” Mit’hat Frashëri, Lumo Skëndo, në këtë kohë, e filloi botimin e një vargu veprash shqipe dhe frëngjishte, historike, politike dhe letrare, siç janë “Naim Frashëri – Jetëshkrim”, “Pritmi i Shqipërisë”, “Popullsia e Epirit”, “Shqipëria dhe shqiptarët”, “Shqiptarët Brenda dhe Jashtë vendit”, “Shqiptarët dhe sllavët”, “Plagët tona”, “Hijë dhe shpuzë”, “Letra mbi një udhëtim në Zvicër”, etj, etj.

Njëkohësisht, ka shkruar për Lidhjen e Pejës, për Kongresin e Elbasanit, për Kongresin e Manastirit, për Kongresin e Dibrës, për shkollën e lavdishme Normale, për Luftën e Parë Btërore dhe për ngjarje të tjera shumë të rëndësishme historike, kulturore dhe politike. Ai, në vitet 1936-1939, në Tiranë, hapi librarinë e famshme “Lumo Skëndo”, me 40 mijë tituj. Në kohën e komunizmit, kjo librari u privatizua dhe praktikisht, kjo bibliotekë mbeti pa formuesin e saj, pa ideologun e saj, pa krijuesin e saj, Lumo Skëndon e lavdishëm. Fatin e tillë të librave të tij, vetë Lumo Skëndo nuk e provoi. Prej Shqipërisë largohet, në vitin 1944, dhe kalon në Itali dhe prej Italie, në Londër, ku krijoi Komitetin Shqipëria e Lirë”. Në vitin 1947 Lumo Skëndo shkoi në Shtet e Bashkuara të Amerikës, kurse vizën amerikane e morri në vitin 1949.

Mit’hat Frashëri, Lumo Skëndo, i lindur më 25 mars 1880, u nda nga jeta më 3 tetor 1949, d.m.th në moshën 69 vjeçare, nga një sulm kardiak, gjatë udhëtimit nga Long Island, për në Neë York. Mit’hat Frashëri, Lumo Skëndo nuk la pasardhës a pasardhëse, nuk ishte i martuar. Mit’hat Frashëri, Lumo Skëndo, i ndarë nga jeta, sot prehet me lavdi të amshueshme, historike, mbarëkombëtare, në Tiranë, në Tiranën, në kryeqytetin e Shqipërisë, në të vërtetë në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve, kudo janë ata sot, duke ia shtuar ashtu përjetësisë, amshimit të familjes zëmadhe të Frashëriotëve./dritare.net