
Masakra e Borovës, 81 vjet nga krimi nazist ndaj fëmijëve, grave dhe pleqve shqiptarë
Dritare.net
Sot përkujtohet një nga ngjarjet më të dhimbshme dhe më tragjike të historisë shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore: Masakra e Borovës. Më 6 korrik 1943, forcat naziste gjermane ndërmorën një akt hakmarrjeje të egër ndaj popullsisë civile të fshatit Borovë në Kolonjë, duke vrarë barbarisht 107 civilë, shumica gra, fëmijë dhe të moshuar.
Borova ishte një fshat paqësor, që u bë viktimë e një hakmarrjeje të verbër pasi forcat partizane shqiptare sulmuan një autokolonë gjermane në afërsi të fshatit. Reagimi i ushtrisë gjermane ishte makabër: dogjen fshatin, dogjën për së gjalli njerëz në shtëpitë e tyre, dhe ekzekutuan pa mëshirë banorët që gjetën rrugës apo të fshehur.
Kjo masakër hyri në histori si një nga aktet më të rënda të terrorit ndaj civilëve në Shqipëri gjatë luftës. Viktimat përfshinin fëmijë të vegjël, gra shtatzëna dhe të moshuar që nuk kishin asnjë lidhje me luftimet.
Sot, 81 vite më pas, në Borovë, ne vendin ku është ngritur një memorial, u mbajten homazhe si çdo vit, por kujtimi i kësaj tragjedie kërkon më shumë se një ceremoni: kërkon drejtësi historike dhe ndërgjegjësim kolektiv.
Të mos harrojmë! Masakra e Borovës nuk është vetëm histori, por një kujtesë e dhimbshme se çfarë sjell urrejtja, pushtimi dhe dhuna ndaj të pafajshmëve.
Le të jetë ky përvjetor një thirrje për paqe, për bashkëjetesë dhe për ruajtjen e kujtesës kombëtare.
Në një botë që shpesh harron, ne kemi detyrën të kujtojmë!/ dritare.net

















