Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kristen, 11-vjeçarja që e kthen traditën në frymëzim

Kristen, 11-vjeçarja që e kthen traditën në frymëzim

Në një kohë kur uniformiteti global po fshin ngadalë veçantitë dhe identitetet kulturore, një vajzë e vogël nga Fieri po bën rezistencë me një pasion të rrallë dhe të pastër: dashurinë për kostumet popullore shqiptare. Kristen, vetëm 11 vjeçe, është një nga zërat më të rinj dhe më të fuqishëm që po ringjall dhe promovon trashëgiminë tonë kulturore përmes një aktiviteti të veçantë dhe të sinqertë.

Në intervistën e saj në emisionin Dekalog të Roland Qafokut në DritareTV, Kristen tregon se kjo pasion ka lindur si një mekanizëm vetëmbrojtës ndaj homogenizimit global: “Në këtë periudhë, në këtë kohë të uniformitetit global, ku gjithçka po unifikohet, brenda meje lindi një mekanizëm vetëmbrojtës, një shtysë për t’i bërë rezistencë kësaj uniformizimi kulturor që po na zhduk çdo veçori.”

Pavarësisht moshës, Kristen është një nxënëse e shkëlqyer në shkollën “Reze Dielli” dhe një poete e vogël, me dhunti të rralla në shkrim, të cilat i kultivon me kujdes dhe ndihmën e Eralda Bazes, me të cilën bashkëpunon prej kohësh në prezantimin dhe evidentimin e veshjeve tradicionale shqiptare.

Për Kristen, veshjet popullore nuk janë thjesht rroba të vjetra, por histori dhe kujtime që duhet të ruhen gjallë. Ajo vetë ka zgjedhur të veshë në studio një kostum nga Luma, i thjeshtë, por shumë elegant dhe me ngjyra të bukura, ku sidomos e dashur i ka shamia, detaj që i jep një bukuri dhe rëndësi të veçantë veshjes.

Kristen, 11-vjeçarja që e kthen traditën në frymëzim

Në kontakt me bashkëmoshatarët e saj, Kristen ka filluar të shohë ndryshime pozitive: “Tani, duke i prezantuar bashkë këto veshje, edhe moshatarët e mi kanë filluar t’i duan.” Edhe pse ka nga ata që nuk ndajnë këtë pasion, ajo e di që dashuria për vlerat kombëtare është një thesar që duhet kultivuar dhe që do të frymëzojë brezat që vijnë.

Përmes kësaj pune dhe dashurie, Kristen po ndihmon që tradita të mbijetojë dhe të zhvillohet, duke treguar se e ardhmja e Shqipërisë, në pasurinë e identitetit të saj kulturor, është në duar të sigurta dhe të përkushtuara.

Kristen është më shumë se një vajzë 11-vjeçare me pasion për kostumet popullore; ajo është një simbol i dashurisë dhe përkushtimit për kulturën shqiptare në një botë që shpesh harron origjinën e vet./K.C/dritare.net