Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zjarri në fushën e mbetjeve të Vlorës, kryebashkiaku Dredha: Dyshojmë se ishte i qëllimshëm

Zjarri në fushën e mbetjeve të Vlorës, kryebashkiaku Dredha:

Në emisionin "Dekalog" të gazetarit Roland Qafoku në Dritare TV, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, komentoi zjarrin e rënë ditë më parë në fushën e mbetjeve të qytetit, duke sqaruar rrethanat dhe reagimin e strukturave bashkiake. Ai tha se situata u menaxhua me shpejtësi dhe nuk përbënte një emergjencë serioze mjedisore, pavarësisht pamjeve që qarkulluan në media.

"Zjarri zgjati vetëm 15-20 minuta dhe u vu menjëherë nën kontroll. Flakët që u panë në video ishin nga goma dhe pak kartonë, që krijuan përshtypjen e një zjarri të madh", u shpreh Dredha.

Megjithatë, kreu i bashkisë ngriti edhe dyshime mbi origjinën e zjarrit, duke sugjeruar se mund të ketë qenë i qëllimshëm:

"Nuk përjashtohet mundësia që zjarri të jetë shkaktuar me dashje. Pozicioni ku ndodhi dhe fakti që nuk ka mbetje të vjetra që të gjenerojnë gaz metan e bëjnë të dyshimtë këtë ngjarje. Kemi indicie që na çojnë drejt këtij përfundimi, dhe organet kompetente po shqyrtojnë rastin", deklaroi ai.

Dredha sqaroi se zjarri nuk ndodhi në zonën ku ndodhen mbetje të kompresuara dhe të kompostuara ndër vite, të cilat mund të vetëndizen për shkak të gazit metan. Sipas tij, mbetjet në atë pjesë të fushës ishin të reja dhe nuk përbëjnë rrezik të tillë.

Zjarri në fushën e mbetjeve riktheu vëmendjen te sfidat e menaxhimit të mbetjeve urbane, ndërsa autoritetet nuk e përjashtojnë pistën e një zjarrvënieje të qëllimshme./L.F-dritare.net