Ish-presidenti Alfred Moisiu nderohet me "Yllin e Madh” të Urdhrit të Skënderbeut
Dritare.net

Në ceremoninë e organizuar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, për 100-vjetorin e Urdhrit të Skënderbeut, u shpërndanë një sërë dekoratash për figura të shquara të botës shqiptare. Ndër të vlerësuarit ishte edhe ish-presidenti Alfred Moisiu, i cili mori titullin “Ylli i Madh”.
Dekoratën ia dorëzoi vetë presidenti Begaj, ndërsa Moisiu, në fjalën e tij, theksoi se ky çmim merr një domethënie të veçantë në moshën 96-vjeçare. Ai u shpreh se e sheh këtë nderim si një vlerësim për gjithë përpjekjet e tij në shërbim të vendit dhe qytetarëve.
Moisiu falënderoi familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen e vazhdueshme, duke nënvizuar se vlerat, puna dhe integriteti janë parime që kanë udhëhequr jetën e tij.
“Unë ju falënderoj dhe respektoj për këtë medalje. Në moshën time, 96 vjeç, ky vlerësim merr tjetër kuptim për mua, si dëshmi e përpjekjeve për vendin dhe qytetarët. Falënderoj familjen, bashkëpunëtorët, miqtë, që më kanë dhënë forcë e motivim të vazhdueshëm.
E konsideroj këtë medalje, si mesazh se vlera, puna dhe integriteti mbeten gjithmonë të çmuara. Në familjen time, dashuria për atdheun kanë qenë motiv i trashëguar. Ju siguroj se do vazhdoj më tej, pavarësisht nga mosha. Gjithmonë do jem në shërbim të kombit tonë”, tha Moisiu./ dritare.net