Na ndiqni edhe në

Sport

Shqipëria synon Botërorin 2026. Sylvinho flet hapur për shansin historik

Shqipëria synon Botërorin 2026. Sylvinho flet hapur për shansin

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho, ka folur revistën italiane për "gianlucadimarzio.com”, për arritjen historike të Shqipërisë në play-off-in e Kupës së Botës 2026. Sipas tij, ëndrra e gjithë vendit është të sigurohet bileta për turneun e madh që do të zhvillohet verën e ardhshme, nga 11 qershori deri më 19 korrik, në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Nga Brazili te përvojat e tij ndërkombëtare, Sylvinho e konsideron veten “qytetar të botës”. “Kam mësuar shumë nga njerëzit që ia kushtojnë jetën futbollit”, thotë ai. Karriera e gjatë dhe marrëdhëniet njerëzore e kanë pasuruar si profesionist dhe si njeri.

“Duhet ta pranoj se jam qytetar i botës. Jetova në Brazil deri në moshën 23–24 vjeç. Pastaj isha në Angli, Spanjë, te Celta Vigo e Barcelona, e më pas u ktheva në Premier League. Kam punuar me Mancinin te Interi dhe pastaj te Selecao. Kam përjetuar shumë”, u shpreh ai.

Qasja e tij ndaj kulturës shqiptare i kujtoi ngjyrat e së gjelbrës dhe së artës braziliane. “Është një mjedis pothuajse brazilian. Shqiptarët duan të bisedojnë, të kalojnë kohë së bashku. Kontakti është pjesë e rëndësishme e komunikimit joverbal. Kjo më ka ndihmuar shumë për t’u integruar”, shtoi ai.

Nga kjo përzierje kulturash tek ëndrra e Kupës së Botës, Sylvinho përshkruan emocionin që po jeton vendi. “Pas tre pikëve në Serbi, gjërat ndryshuan. Kur u kthyem, na pritën me shumë entuziazëm. Jemi të lumtur që e paraqesim Shqipërinë edhe përtej plazheve — tani edhe për futbollin.”

Ai e quan këtë një udhëtim të gjatë që kërkon durim dhe përkushtim. “Është e mrekullueshme të udhëheq Shqipërinë. Kam pasion për vendin dhe njerëzit. Tre vite punë të shkëlqyer — duhet t’i përgëzoj të gjithë lojtarët. Të mbërrish për herë të parë në fazën eliminatore të Kupës së Botës është arritje e madhe. Jemi të lumtur, por duhet të përgatitemi mirë.”

Trajneri thekson edhe shumëllojshmërinë e stileve të lojës që lojtarët sjellin nga ligat e ndryshme. “Jemi ekip i organizuar. Kemi pak nga futbolli spanjoll, intensitetin britanik… dhe unë jam brazilian, kështu që lirshmëria është pjesë e imja.”

Me formatin e ri të Kupës së Botës, me 48 ekipe dhe 12 grupe, konkurrenca do të jetë e ndërlikuar. “Nga faza ku luajmë ne — bashkë me ekipe si Italia, Suedia, Polonia — vetëm katër kalojnë më tej. Nuk është e lehtë. Forca jonë është besimi se mund t’ia dalim.”

Ai komentoi edhe idenë e pezullimit të kampionateve gjatë play-off-it: “Është e vështirë të gjesh data. Lojtarët tanë vijnë nga e gjithë bota. Ende nuk është çështje e qartë.”

Pjesë e rëndësishme e punës është komunikimi me lojtarët. “Jam komunikues. Unë, Doriva dhe Pablo Zabaleta shkojmë shpesh në qytete të ndryshme për një kafe me lojtarët. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me ta dhe me klubet. Nga janari do të na duhet të punojmë me edhe më shumë kujdes.”

Lidhur me lojtarët në Serie A, Sylvinho u shpreh: “Futbolli italian është i fortë, shumë taktik. Lojtarët tanë po rriten shumë. Duhet t’i falënderojmë për punën fantastike.”

Në fund, ai foli për talentet e rinj: “Kemi dy lojtarë që dolën nga U21 një vit e gjysmë më parë dhe janë rritur shumë: Medon Berisha te Lecce dhe Adrion Pajaziti te Hajduk Split. Janë të ndryshëm, por të dy kanë bërë hapa të rëndësishëm.”

Mes buzëqeshjesh dhe punës së përditshme, mbetet të pritet pranvera për të zbuluar nëse Shqipëria e Sylvinhos do të mund të vendosë copën e fundit të enigmës së saj historike./K.C/dritare.net