Skandali gjenetik që tronditi Europën. Qindra fëmijë në rrezik për kancer
Dritare.net

Një hetim i gjerë nga 14 televizione publike europiane, mes tyre edhe BBC, ka zbuluar një rast tronditës në botën e fertilitetit: një donator sperme që mbante pa dijeni një mutacion gjenetik tepër të rrezikshëm ka bërë të mundur lindjen e të paktën 197 fëmijëve në 14 vende të Europës për një periudhë prej 17 vitesh.
Mutacioni prekte gjenin TP53, një nga mbrojtësit kryesorë të trupit kundër kancerit. Ndërsa donatori vetë është i shëndetshëm, deri në 20% e spermës së tij mbante mutacionin, çka bën që çdo fëmijë i lindur me këtë defekt ta ketë mutacionin në çdo qelizë të trupit. Sipas ekspertëve, kjo shpie në sindromën Li-Fraumeni, e cila jep deri në 90% rrezik për zhvillimin e kancerit gjatë jetës, shpesh që në fëmijëri.
Disa nga fëmijët e lindur me këtë mutacion kanë vdekur, ndërsa të tjerë po përballen me diagnostikime të shumta të kancerit. Deri më tani, mjekët kanë identifikuar 23 fëmijë të prekur mes 67 rasteve të hetuara fillimisht, por shifra totale pritet të rritet.
I shpërndarë në 67 klinika, pa kufi përdorimi
Sperma e donatorit—i cili ka dhënë materialin që prej vitit 2005 si student—është shpërndarë nga European Sperm Bank në 67 klinika në vende të ndryshme. Banka e spermës ka pranuar se në disa shtete janë shkelur kufijtë ligjorë për përdorimin e të njëjtit donator.
Në Belgjikë, ku limiti është 6 familje, sperma e tij është përdorur për 53 fëmijë nga 38 gra – një shkelje masive.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ku ky lloj materiali nuk është shitur drejtpërdrejt, autoritetet konfirmuan se një “numër shumë i vogël” grash britanike ka udhëtuar për trajtim në Danimarkë dhe janë prekur nga rasti.
Familjet: “Ky material nuk ishte i sigurt”
Shumë prindër, si një nënë franceze e identifikuar si Céline, thonë se janë tmerruar nga lajmi. Ajo zbuloi se vajza e saj 14-vjeçare ka mutacionin, dhe tashmë familja pritet të përballet me monitorime të përvitshme të rënda – MRI, ultratinguj dhe ndërhyrje parandaluese.
“Nuk kemi asnjë faj ndaj donatorit, por sperma nuk ishte e sigurt,” tha ajo. “Rreziku do të jetë mbi ne gjithë jetën.”

Ekspertët: Rasti është i rrallë, por kufijtë duhet të rishikohen
Prof. Allan Pacey, një nga ekspertët kryesorë të fertilitetit në Mbretërinë e Bashkuar, tha se nuk ekziston asnjë mundësi që sperma të jetë “100% e sigurt”, pasi nuk ka mënyrë të zbulohet çdo problem gjenetik. Megjithatë, ai pranoi se mungesa e një ligji ndërkombëtar për limitet e përdorimit të donorëve ka kontribuar në këtë situatë.
Rasti po nxit debat të fortë mbi:
kufijtë maksimalë të përdorimit të një donatori,
rregullat e bankave ndërkombëtare të spermës,
mbrojtjen e fëmijëve që më vonë zbulojnë se kanë qindra gjysmë-vëllezër.
Në nivel europian, po diskutohet një limit prej 50 familjesh për çdo donator, por ekspertët pranojnë se kjo nuk do të parandalojë raste të rralla gjenetike—thjesht do të kufizojë pasojat sociale dhe psikologjike.
Çfarë duhet të dinë prindërit?
Autoritetet këshillojnë që këdo që ka pasur trajtim fertiliteti jashtë vendit përmes bankave të mëdha të spermës, të kontaktojë klinikën ku është trajtuar, sidomos nëse është trajtuar në Danimarkë.
Edhe pse rastet e tilla janë “shumë të rralla”, ekspertët theksojnë se përdorimi i klinikave të licencuara mbetet mënyra më e sigurt për trajtim./L.F-dritare.net