Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Shpërthimi kozmik që tronditi Universin!

Shpërthimi kozmik që tronditi Universin!

Një vrimë e zezë është regjistruar duke shkaktuar kaos në hapësirë, në një ngjarje të rrallë shkencore. Astronomët e kanë vëzhguar këtë fenomen në një distancë prej 130 milionë vite drite.

Një vrimë e zezë supermasive në galaksinë NGC 3783, rreth 130 milionë vite drite larg Tokës, ka tërhequr përsëri vëmendjen e shkencëtarëve, këtë herë me një ngjarje të paregjistruar më parë. Vrima e zezë, me masë rreth 28 milionë herë më të madhe se ajo e Diellit, thith me shpejtësi lëndën që e rrethon. Ajo është nën vëzhgim të kujdesshëm nga teleskopët kozmikë XMM-Newton të ESA-s dhe XRISM i JAXA-s.

Një shpërthim i jashtëzakonshëm
Në korrik 2024 u regjistrua një shpërthim i fuqishëm rrezatimi X, i cili brenda dhjetë ditësh arriti intensitete të jashtëzakonshme. Pak para se të shuhej, brenda vetëm 12 orësh, u shfaqën erëra yjore me shpejtësi rreth 57.000 kilometra në sekondë, thuajse 1/5 e shpejtësisë së dritës.

Këto janë të ashtuquajturat ultrafast outflows (UFO), të cilat janë vëzhguar edhe më parë, por kurrë në momentin e lindjes dhe zhvillimit të tyre. Liyi Gu, drejtues i studimit në Space Research Organisation Netherlands, thekson:
"Për herë të parë po shohim se si një shpërthim i papritur i rrezatimit X nga një vrimë e zezë shkakton menjëherë erëra me shpejtësi të jashtëzakonshme, të formuara brenda vetëm një dite."

Vrima e zezë ndodhet në qendër të një bërthame aktive galaktike (AGN), një zonë ku drita është shumë më e fortë se ajo që mund të shpjegohet vetëm nga yjet e galaksisë.

Sipas shkencëtarit të ESA-s Matteo Guainazzi, erërat u krijuan kur fusha komplekse magnetike e AGN-së u “shpalos” papritmas, një proces i ngjashëm me shpërthimet diellore, por në shkallë kolosale.

Liyi Gu shpjegon se shpejtësia e jashtëzakonshme e erërave është rezultat i forcave magnetike, po ashtu si shpërthimet koronale të Diellit. Astronomi i ESA-s, Erik Kuulkers, shton se për herë të parë po vëzhgojmë fenomene magnetike rreth një vrime të zezë që ngjajnë mahnitshëm me ato të Diellit, duke sugjeruar:
"Fizika e Diellit dhe ajo e energjisë së lartë mund të funksionojnë në mënyra të ngjashme në të gjithë Universin."/K.C/dritare.net