Ramiz Alia: Po të mos luftonim, Shqipëria do të copëtohej nga fqinjët!
Dritare.net

Në intervistën me gazetaren Rudina Xhunga, në vitin 1999, Ramiz Alia foli për Luftën Nacionalçlirimtare dhe dha një përgjigje të prerë ndaj tezave që qarkullojnë prej vitesh se lufta mund të ishte shmangur pa pasoja të mëdha. Ai theksoi se indiferenca ndaj pushtuesve nazistë do t’i kishte kushtuar Shqipërisë jo vetëm me “turp historik”, por ndoshta edhe me humbjen e vetë Atdheut.
“’Pse duhet të luftojmë, se do na digjen fshatrat, ndërsa gjermanët po janë në kalim, do të ikin vetë?’ thoshin disa. Por populli nuk ua vuri veshin këtyre predikimeve,” u shpreh Alia.
Ai pranoi se shmangia e luftës mund të kishte reduktuar humbjet materiale dhe njerëzore, por me një kosto të patolerueshme morale dhe historike:
“Mundet që nuk do të ishin vrarë 28.000 dëshmorët, mundet të mos ishin djegur fshatrat tona, mundet të mos ishin prishur portet, urat, por mbi popullin tonë do të mbetej një turp, një turp i përjetshëm.”
Sipas tij, mosangazhimi kundër pushtuesve do të kishte rreshtuar Shqipërinë në anën e gabuar të historisë:
“Populli shqiptar do të kishte marrë anën e të humburve, do të kishte përfunduar me gjermanët dhe italianët, pra me humbësit e luftës.”
Alia paralajmëroi se pasojat do të kishin qenë dramatike edhe për territorin shqiptar, duke rikujtuar planet e vjetra të fqinjëve:
“Shqipëria do të ishte ndarë, do të ishte copëtuar midis Jugosllavisë dhe Greqisë, të cilët, duke qenë me fitimtarët, me siguri do të përfitonin nga rasti për ta ndarë këtë vend.”
Megjithëse pranoi se ide të tilla ishin ushqyer historikisht nga qarqe politike në Athinë dhe Beograd, Alia theksoi se sot rreziqet nuk janë më të natyrës së dikurshme:
“Gjithmonë rreziqet ekzistojnë, por besoj se tashmë ato nuk janë më aq të kohës. Populli ka fituar një eksperiencë të madhe dhe ndryshime të rëndësishme kanë ndodhur në gjeopolitikën e përgjithshme të botës.”/dritare.net


