Na ndiqni edhe në

Emisionet

Ju flet Ramiz Alia! Intervistë në Dritare me gazetaren Rudina Xhunga

Ju flet Ramiz Alia! Intervistë në Dritare me gazetaren Rudina Xhunga

Në një intervistë të rrallë për emisionin Dritare me Rudina Xhungën, në vitin 1999, ish-udhëheqësi i Shqipërisë, Ramiz Alia, ka hapur dyert e shtëpisë së tij për të folur pa doreza mbi historinë, politikën dhe aktualitetin shqiptar. Duke marrë shkas nga fakti që asokohe qe 55-vjetori i Çlirimit të Atdheut, Alia jo vetëm që mbrojti me fanatizëm Luftën Nacionalçlirimtare (LANÇ), por bëri një analizë të thellë kritike ndaj klasës politike që drejton vendin në periudhën e postkomunizmit. Intervista përshkon disa dekada histori, duke nisur nga malet e Shqipërisë në vitin 1944 e deri te kaosi politik i fundvitit 1999.



Një nga pikat më të nxehta të bisedës ishte debati historik mbi natyrën e luftës. Alia hodhi poshtë me forcë tezat se në Shqipëri ka pasur luftë civile, duke akuzuar Ballin Kombëtar për bashkëpunim të hapur me pushtuesit gjermanë.
Ai citoi dokumente historike dhe urdhëresa të krerëve ballistë, si Ali Këlcyra dhe Mit'hat Frashëri, për të mbështetur argumentin se konflikti mes partizanëve dhe ballistëve ishte pasojë e rreshtimit të këtyre të fundit në anën e humbësve të Luftës së Dytë Botërore.
Për Alinë, rishikimi i historisë është një përpjekje për të rehabilituar kolaboracionistët dhe për të njollosur gjakun e 28 mijë dëshmorëve. Me tone nostalgjike por edhe analitike, Alia hoqi paralele midis LANÇ-it dhe luftës së UÇK-së në Kosovë, duke theksuar se të dyja ishin luftëra kundër fashizmit – qoftë atij të Hitlerit, qoftë atij të Millosheviçit.
Megjithatë, kritika më e ashpër e Alisë u rezervua për realitetin e zymtë ekonomik dhe politik të Shqipërisë moderne. Ai akuzoi klasën politike për mungesë idealesh kombëtare, duke e krahasuar idealizmin e partizanëve me pragmatizmin cinik të politikanëve të sotëm. Sipas tij, termi "tranzicion" është kthyer në një alibi për të justifikuar shkatërrimin e industrisë, bujqësisë dhe infrastrukturës së vendit.
Ai vuri në dukje paradoksin e një vendi të pasur me burime natyrore si kromi, bakri dhe nafta, por që lëngon në varfëri për shkak të mungesës së një strategjie kombëtare ekonomike.

Alia tregon në këtë intervistë ditët e tij të fundit nenë pushtet./dritare.net