
ILD kërkon pezullim nga detyra/ Kapedani: Asnjëherë nuk jam proceduar për shkelje. Puna ime, është sfidë!
Dritare.net
KLGJ vendos sot për fatin e gjyqtares së Elbasanit Enkeleda Kapedani. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani ka kërkuar shkarkimin për shkelje disiplinore të gjyqtares pas publikimit të videove në rrjetin social TikTok. Sipas tij duhet të pezullohet nga detyra Enkeleda Kapedani deri në përfundim të hetimit.
“Në rastin konkret ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin ndaj magjistrates Enkeleda Kapedani të masës provizore të pezullimit nga ushtrim i detyrës deri në përfundimin e procedimit disiplinor, për shkak se vazhdimi i magjistratit në detyrë diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit“, tha Metani.
Vetë gjyqtarja e Elbasanit Kapedani në sallë është shprehur se në 7 vjetët që ushtron detyrën nuk është proceduar për asnjë shkelje.
"E ushtroj detyrën prej 7 vitesh dhe asnjëherë nuk jam proceduar me shkelje. Asnjëherë nuk jam përmendur për çështje korruptive. Kam mbaruar me mesataren 9.75 në universitetin e Tiranë. Bëj çdo ditë nga 10 deri 15 gjyqe. Të drejtosh Gjykatën e Elbasanit është sfidë më vetë", tha Kapedani.
ILD ka dorëzuar një raport prej 25 faqesh në Këshillin gjyqësor, ku argumenton arsyet pse zonja Kapedani nuk mund të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë. Për ILD, nga faktet dhe analiza ligjore provohet shkelja disiplinore nga ana e Kapedanit, e cila ka shkelur Kodin e Etikës Gjyqësore duke kryer sjellje të pahijshme dhe shkelur parimin e integritetit. Pas publikimit të videove vetë gjyqëtarja fillimisht e mohoi që kishte llogari në rrjetin social, më pas me verifikimet e kryera rezultoi se videot ishin origjinale të gjyqtares. /L.F-dritare.net

















