
Hashim Thaçi nga Haga: Edi Rama po bën historinë evropiane të shqiptarëve
Dritare.net
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë ekskluzive për Klan Kosova, ka vlerësuar lartë rolin e Shqipërisë në rajon dhe lidershipin e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ai “po e bën historinë evropiane të shqiptarëve”.
Nga Haga, ku po përballet me një proces gjyqësor, Thaçi foli për sfidat dhe rrugën që kanë ndjekur shqiptarët në dekadat e fundit, ndërsa u ndal edhe te marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Shqipëria sot është një vend i respektuar dhe i besueshëm në arenën ndërkombëtare. Ka përmbyllur me sukses tranzicionin demokratik dhe po udhëheq bindshëm procesin e integrimit evropian në rajon. Edi Rama po dëshmon vizion modern dhe të shëndetshëm për të ardhmen e kombit shqiptar,” – tha Thaçi.
Ai theksoi se Shqipëria ka shërbyer si zë i fuqishëm në arenën ndërkombëtare për mbrojtjen e interesave të Kosovës, duke përmendur rolin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe qëndrimin ndaj agresionit rus në Ukrainë.
“Sot Shqipëria nuk duhet parë si ‘lagjja’ e një cepi kombëtar, por si shtet lider në Ballkan, anëtar i NATO-s, me vizion të qartë euroatlantik. Shteti i Kosovës duhet ta fuqizojë rolin e Shqipërisë, jo ta ngatërrojë atë,” – shtoi ish-presidenti.
Thaçi gjithashtu përshëndeti iniciativën e Shqipërisë për të organizuar Samitin e NATO-s në Tiranë në vitin 2027, duke e cilësuar si një ngjarje historike për gjithë rajonin.
Lidhur me udhëheqjen e Kosovës, ai u bëri thirrje liderëve aktualë për më shumë bashkëpunim, tolerancë dhe përkushtim ndaj interesit të shtetit, duke nënvizuar se: “Liderët janë të përkohshëm, Kosova është e përjetshme.”/l.f-dritare.net

















