
Nga Monika Milo*
Gruaja si fillesa e ekzistences humane, është ajo energji universale që ngjiz dhe mban ritmin e jetës. Ajo është pulsi që ndez çdo shprese dhe në qenien e saj çdo gjurmë e jetës bëhet epitaf i forcës që nuk shuhet kurrë…Kjo është të jesh GRUA!
Gjithmonë kam besuar se forca e vërtetë e një gruaje qëndron në aftësinë për të ndikuar, frymëzuar dhe krijuar. E gjithë jeta është një mozaik sfidash dhe përvojash që na rrisin çdo ditë e më shumë në trajektoren e trinisë sonë: mendje, trup dhe shpirt. Në rrugëtimin tim njerëzor, kam mësuar se çdo veprim i ndërgjegjshëm, çdo zgjedhje e bërë me kujdes e zemër, mund të shndërrohet në mbështetje dhe frymëzim për të tjerët. Ndikimi i vërtetë lind kur veprimet dhe vendimet ecin përtej objektivave personale, duke u bërë urë bashkëpunimi dhe forcë për ata që kanë më shumë nevojë. Kjo bindje ka qenë një filozofi që ka udhëhequr gjithmonë edhe misionin tim në bankë.
Ndër vite, Credins është bërë një nga zërat më aktivë në Shqipëri për kauza të ndryshme sociale, ndër to edhe për
ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me institucionet shtetërore, organizatat joqeveritare, shoqatat e grave dhe shoqërinë civile, kemi ndërtuar një rrjet solidariteti që fuqizon vetëdijen, forcon mbështetjen dhe kujdesin për gratë që përballen me sfidat e shëndetit. Çdo projekt social, çdo fushatë sensibilizuese dhe çdo aktivitet artistik me tematika ndërgjegjësuese ka qenë një investim human në emër të jetës, shëndetit, kurajos dhe dinjitetit të çdo gruaje. Ndjej një kënaqësi të veçantë që, në bashkëpunim me artistë të njohur, Credins ka krijuar momente ku arti dhe sensibilizimi janë shkrirë në një gjuhë unike të përbashkët. Investimet tona kanë qenë shumëdimensionale, duke filluar nga paketat financiare të dedikuara për punonjëset e stafit tonë që përballen me sfida serioze shëndetësore, si dhe duke u zgjeruar në një sërë iniciativash publike që kanë lënë gjurmë.
Në çdo tetor, bota zgjedh të vishet nën petkun e brishtë të ngjyrës rozë si një motiv kur ngjyra e shpresës bëhet simbol i jetës. Për Credins bank, ngjyra rozë nuk është vetëm një fushatë njëmujore, ajo është një kambanë e kujtesës së përhershme për misionin tonë njerëzor, për të qenë pranë komunitetit, për të mbështetur gratë, nënat, motrat, bashkëshortet, koleget tona dhe për t’i inkurajuar ato të kujdesen gjithmonë për veten. Mbështetja e ekspozitave vizuale që flasin përtej fjalëve, performancat artistike që ngjyrosin] çdo hapësirë urbane, botimet letrare që prekin çdo zemër, projektet humanitare që nxisin solidaritetin në çdo komunitet e deri te marshimet ngjyrë rozë, janë vetëm disa nga format e devocionit që Credins përcjell, duke e kthyer çdo veprim përgjatë gjithë vitit në një reflektim të fuqishëm mbi kujdesin për jetën. Në morinë e aktiviteteve që në qendër vendosin gruan si entitet empirik, dua të ndalem në projektin “Dielli i Ditës Tjetër” të artistes Blerta Kambo.

Mozaiku “Shqipëria” i Muzeut Historik Kombëtar, rishfaqur në formën e tij më bashkëkohore, ishte një ide dhe gjetje interesante, duke e sjellë figurën e gruas më të fortë dhe më të bukur se kurrë, përtej sfidave shëndetësore. Në këtë aspekt, besoj se në këtë panteon të fuqishëm ndërveprimesh, secila grua bëhet një qelizë që shkëlqen në mozaikun e madh të vetë ekzistencës njerëzore.

Sot, Credins bank është një pasqyrë e transformimit, duke e kthyer ndjeshmërinë në veprim, artin në mision dhe solidaritetin në një filozofi jetësore. Në fund, e gjithë kjo është një himn për jetën, një simfoni e ndërthurur me nota të kujdesit dhe dashurisë, ku çdo akord përfaqëson një histori guximi, çdo ritëm një frymë shprese dhe çdo pauzë një moment reflektimi mbi heroinën e çdo epoke, GRUAN! Të krijosh vlera do të thotë të japësh jetë përtej vetes, të bëhesh pjesë e historisë që mbetet si një testament i forcës, bukurisë dhe shpirtit njerëzor. Credins bank do të vazhdojë të jetë pranë çdo gruaje, duke treguar se forca e saj është energjia e jetës dhe substanca bazë e materies./dritare.net
*zv. Drejtore e Përgjithshme e Credins Bank