
Gjokë Dabaj: Si u arratisa përmes kufirit për të sjellë në Tiranë thirrjen për bashkim kombëtar!
Dritare.net

Në një rrëfim ekskluziv për Dritare TV, veprimtari i kombit Gjokë Dabaj tregon se si, në një mision të rrezikshëm në vitet e rinisë, kaloi kufirin për të treguar ekzistencën e një organizate patriotike shqiptare në Kosovë. Ai e përshkruan këtë si udhëtimin që ndryshoi jetën e tij dhe që u bë kthesa e madhe në rrugën drejt Shqipërisë.
“Në Prizren kishim krijuar një grup ilegal. Kishim një program të plotë: do të punonim për bashkimin kombëtar në një shtet të vetëm. Programi nuk i hiqej as edhe një presje ishte i qartë, i vendosur, patriotik. E kam sjellë atë program edhe këtu në Shqipëri, shumë herë, ndodhet në arkivat e ish-Ministrisë së Brendshme.
U vendos që dikush duhej të kalonte kufirin dhe të njoftonte qeverinë shqiptare për ekzistencën e kësaj organizate. Bedriu Bedri Qollaku, një atdhetar nga Prizreni më zgjodhi mua. Ndoshta sepse isha nga Shestani dhe e kaloja më lehtë kufirin. Më dha shoqërues edhe Fadil Cukajn.
Qëndruam 15 ditë në Prizren. Përgatitëm gjithçka. Fadili më udhëzoi çfarë duhet të thosha në Tiranë, kë të kërkoja, si të sillesha. Nuk e dinim saktësisht kë do takoja, përveç Enver Hoxhës që ishte udhëheqësi, por besonim që të gjithë ishin të mirë.
Kur erdhi dita, shkuam drejt kufirit. Fadili do të kthehej pas ai do t’i tregonte grupit nëse unë e kisha kaluar me sukses. Unë kalova. Sapo kalova, pashë një bari që ruante lopët. E pyeta për ushtarët, sepse doja të dorëzohesha. Ai më tha: ‘Prit këtu’ dhe i thirri ushtarët që ishin afër Raboshit.
Erdhen dy ushtarë me armë. Njëri më erdhi përballë, tjetri nga mbrapa. Më thanë: ‘Ngri duart, çfarë ke me vete?’ Kisha vetëm një thikë. Njëri më lidhi duart. Por po dridhej nga emocionet. Aq fort m’i lidhi, sa më këputi dorën. Ai ishte nga Lushnja.
Më çuan në pikën kufitare të Raboshit. Komandanti më dha një cigare. ‘Përdor duhan?’ – më tha. Unë u përgjigja: ‘Edhe për partizanin, edhe për herën e parë në Shqipëri’. Aty pashë për herë të parë një partizan shqiptar, dhe u emocionova.”
Ky është rrëfimi i gjallë i një njeriu që, në kohën kur kufijtë ishin vdekje, kaloi për të sjellë zërin e Kosovës në Tiranë. Gjokë Dabaj ishte vetëm një djalosh, por me një zemër që rrihte për bashkimin kombëtar./ dritare.net
Për të parë intervistën e plotë, kliko këtu

















