
Me pjergullën e shtëpisë ndërtova një varkë për të ikur në Itali!
Dritare.net

Nga Kastriot Zilja, rrëfim për Dritare TV
Unë jam nga Vlora. Jam rritur në Skelë, në ato rrugica ku e gjithë jeta rrotullohej rreth detit. Deti nuk ishte vetëm horizonti ynë, por edhe mësuesi më i madh. Në atë kohë, isha 24 vjeç. Ishte viti 1991. Regjimi binte, por ne nuk e dinim si binte. Nuk e besonim. Më shumë se liria, kishte frikë. Më shumë se shpresa, kishte kontroll. Dhe unë nuk duroja më.
E kuptova se nuk kishte më asgjë për të pritur. Nuk do të vinte askush të na e sillte lirinë. As demokracinë. Ndaj mora vendimin më të vështirë të jetës sime: të ikja. Por jo me avion. Jo me dokumente. Me duar, me shpirt, me ëndërr.
Bëra një varkë me kamerdera, me pjergullën e shtëpisë, me tubat e uzinës, me ç’të mundja. E quajtëm ‘liria’. Bashkë me vëllanë dhe disa miq, e ndërtuam me mendjen dhe frikën që na brente. Ishim gati për gjithçka: ose do të mbërrinim, ose do të mbyteshim. S’kishte rrugë të mesme.
Kaluan 5 ditë në det. Ditën me diell, natën me stuhi. Një natë na kap një erë e fortë dhe na çoi deri afër Himarës. Tjetër natë e kaluam pa ujë. E kemi ndarë një tap ujë Coca-Cola çdo 12 orë. Kishim marrë me vete një motor të vjetër, por punoi vetëm 600 metra. Pastaj vetëm shpresa dhe vela.
Na shpëtoi një varkë e madhe me vela që po shkonte për në Greqi. Na dhanë bukë, ujë dhe na orientuan drejt Italisë. Më pas, një mrekulli tjetër: një anije italiane na mori dhe na çoi drejt bregut të Venecias. Ishim të lodhur, por të lirë. Liria nuk ishte kurrë më e shijshme.
Kam jetuar 30 vjet në Itali. Kam punuar çdo punë: murator, peshkatar, dizenjator teknik, prodhues maskash veneciane. E kam ndërtuar jetën nga zero. Dhe kur munda të kem gjithçka atje, zgjodha të kthehem. Në Vlorën time. Sepse unë nuk ika nga Vlora, ika nga regjimi.
Tani jetoj sërish në Vlorë. Kam një punishte për maska, ëndërroj që Gjiri i Vlorës të mbushet me veliera, të hapet deti, të rilindë Shkolla e Marinës, të kthehet Vlora e bukur që njohim. Jo vetëm për turistët, por për ne. Për fëmijët tanë. Për historinë tonë.
Dhe kam një mesazh për ju që po ikni sot:
Mos ikni pa provuar të ndryshoni. Mos ikni duke e braktisur vendin plotësisht. Se vendi është më shumë se politika. Është toka jote, deti yt, kujtimi yt. Mos e lër të zhbëhet. Se kur kthehesh pas 30 vjetësh dhe sheh se toka jote është ende aty, por pa njerëzit e saj, dhimbja është më e madhe se çdo varfëri.
Unë ika me një varkë me pjergull. Ju po ikni me avion. Por nëse ktheheni, mos ktheheni duarbosh. Kthehuni me dije, me eksperiencë, me dashuri. Se vendi nuk ngrihet vetëm me fjalë, ngrihet me duar që punojnë dhe me zemra që nuk dorëzohen./ dritare.net

















