Zelensky takon liderët evropianë, zbardhen bisedimet. Çfarë u kërkua në takim!
Dritare.net

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, takoi të hënën në Londër kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz për të diskutuar versionin e fundit të një plani paqeje, të hartuar gjatë bisedimeve midis zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë.
Pas takimit, Franca njoftoi se puna për të siguruar garanci sigurie për Kievin do të intensifikohet. Zelensky më pas u nis për në Bruksel për të takuar zyrtarë të NATO-s dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara ushtrojnë presion mbi Ukrainën për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë, Zelensky dhe aleatët europianë kërkojnë garanci që një marrëveshje e tillë nuk do të lejojë një sulm të ri rus. Një çështje kyçe mbeten edhe kufijtë territorialë, pasi Shtetet e Bashkuara kanë propozuar tërheqjen e forcave ukrainase nga disa rajone lindore, një opsion i papranueshëm për Kievin.
Kremlini, me gjithë humbjet në betejë dhe presionin ekonomik, nuk ka treguar shenja të pranimit të kompromisit, duke përfshirë edhe refuzimin për një të ardhme të Ukrainës në NATO. Presidenti rus Vladimir Putin ka theksuar se do të vazhdojë luftën derisa forcat e tij të marrin kontroll të plotë mbi rajonet Donetsk dhe Luhansk, ku aktualisht ushtria ruse mban 85% të territorit.
Ndërkohë, luftimet vijojnë. Mes të dielës dhe të hënës, 10 persona u vranë dhe 47 u plagosën nga sulmet ruse me dronë, bomba dhe raketa në nëntë rajone të Ukrainës./K.C/dritare.net