Na ndiqni edhe në

Opinione

Fatbardh Kadilli: Dita që ende më emocionon

Fatbardh Kadilli: Dita që ende më emocionon

Nga Fatbardh Kadilli

Sot është 8 Dhjetori. Eshtë emërtuar “Dita e Rinisë”, Dita e Studentëve, Dita e Pluralizmit, e Demokracisë, etj, etj..

Unë pata fatin të jem atje! Në jetën time politike, ajo mbrëmje mbetet dita më fatlume..

Pas 35 vjetësh e kam të pamundur të pajtoj atë që unë kam përjetuar atë të shtunë të 8 Dhjetorit 1990 me atë çfarë sot thuhet, apo konsumonet politikisht.

Për herë të parë në historinë tonë moderne, ne shqiptarët kemi reaguar si shoqëri më 8 Dhjetor 1990. As pavarësia, as përfshirja në Luftën e Dytë Botërore nuk kanë qenë produkt i shoqërisë shqiptare. Kanë qenë aksione të mëdha, të rendësishme, por kanë qenë produkt i elitave dhe i faktorëve ndërkombëtar.

Lëvizja e Dhjetorit erdhi si rezultat i angazhimit masiv shoqëror. Nuk e solli askush atë ndryshim, as politika e mykur, as “intelektualët”, as edhe vetë studentët. Për herë të parë populli ishte shumë më përpara elitës së vet.

Ajo që kishte ndodhur në Shkodër, Tiranë, Kavajë ishte nga njerëz të thjeshtë, pa emër e pa bujë, por me qartësi dhe guxim shumë më të madh se elitat.

Respekt për këtë masë njerëzore që solli ndryshimin. Një masë e tillë, e angazhuar, mbetet shpresa e vetme për ndryshim./dritare.net