Na ndiqni edhe në

Shëndet

Çfarë i ndodh trupit kur e teprojmë me vitaminën D!

Çfarë i ndodh trupit kur e teprojmë me vitaminën D!

Mungesa e vitaminës D është shumë e përhapur. Kjo vitaminë është thelbësore për shëndetin e kockave, muskujve, sistemit imunitar dhe metabolizmin. Megjithatë, ashtu si mungesa, edhe teprica e saj mund të shkaktojë dëme serioze.

Së fundmi, 16 persona në Ishujt Balearik përfunduan në spital me simptoma helmimi pasi kishin marrë një suplement të blerë online me formulë të gabuar, pa mbikëqyrje mjekësore. Rasti ngriti alarmin për rreziqet e përdorimit të pakontrolluar të suplementeve.

Ekspertët paralajmërojnë se vitamina D nuk është thjesht një “vitaminë”, por një hormon (kolekalciferol), dhe duhet trajtuar si një medikament që kërkon monitorim. Marrja e pakontrolluar ose e panevojshme e dozave të larta mund të çojë në hipervitaminosi D, një gjendje në rritje për shkak të suplementimit të tepruar.

Rreziqet e tepricës së vitaminës D
Dozat e larta çojnë në hiperkalçemi, rritje të kalciumit në gjak, duke shkaktuar fillimisht:

-nauze, të vjella, kapsllëk, mungesë oreksi
-etje të shtuar dhe urinim të shpeshtë
-lodhje dhe dobësi të madhe
Nëse teprica vazhdon, mund të krijohen depozitime kalciumi në enët e gjakut dhe në organe të rëndësishme, të cilat mund të shkaktojnë hipertension, dëmtime të veshkave dhe deri në insuficiencë renale.

Problemi i vetëmjekimit
Vitamina D gjendet lehtësisht në suplemente të ndryshme dhe shumë njerëz e marrin pa indikacion mjekësor, shpesh sipas këshillave nga persona jo të kualifikuar. Doza të caktuara janë shumë të larta dhe të destinuara vetëm për raste të rënda, prandaj duhen përdorur vetëm nën kontroll profesional dhe me analiza periodike.

Studime të reja dhe keqkuptime
Një studim britanik ka treguar se suplementet me vitamina D2 mund të ulin nivelet e vitaminës D3, formës që organizmi përdor realisht. Gjithashtu, toksiciteti nga vitamina D vjen vetëm nga suplementet, jo nga ushqimi dhe as nga dielli, pasi trupi e rregullon vetë prodhimin.

Mesazhi kryesor
Specialistët theksojnë se emërtimi “vitaminë” është i gabuar dhe krijon ndjesinë e një substance të padëmshme, ndërkohë që bëhet fjalë për një hormon që mund të shkaktojë dëme serioze nëse merret pa kontrolle. Suplementimi duhet të vendoset, rregullohet dhe monitorohet vetëm nga mjeku./K.C/dritare.net