
Garancia e sigurisë për Ukrainën, premtim historik. Çfarë po ndodh në Shtëpinë e Bardhë!
Dritare.net
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pas mbërritjes në Uashington, falënderoi Donald Trump për ftesën në Shtëpinë e Bardhë dhe u shpreh se “paqja duhet të jetë e qëndrueshme”. Ai tha se është i bindur se Ukraina do të mbrohet dhe se populli ukrainas do të jetë gjithmonë mirënjohës për mbështetjen amerikane dhe të aleatëve.
Oleksandr Merezhko, kryetar i komisionit për politikën e jashtme në parlamentin e Ukrainës, tha se është pozitive që SHBA po flet për garanci, por theksoi se dëshiron të shohë marrëveshjen konkrete të tyre. Ai shtoi se Ukraina duhet të këmbëngulë për anëtarësim në NATO, ndërsa hodhi poshtë mundësinë e dorëzimit të territoreve ndaj Rusisë.
Skepticizëm mbi marrëveshjet me Rusinë
Nga ana tjetër, ekspertët ndërkombëtarë shfaqin skepticizëm mbi qëndrueshmërinë e çdo marrëveshjeje me Moskën. Vitaliy Shevchenko nga BBC Monitoring rikujtoi se dokumentet dhe marrëveshjet e mëparshme – si memorandumi i vitit 1994 dhe traktati i miqësisë i vitit 1997 – nuk e ndaluan pushtimin rus të Krimesë në vitin 2014. Ai shtoi se edhe armëpushimet e mëvonshme kanë dështuar, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi vullnetin e Vladimir Putinit për të respektuar një marrëveshje të re.
Çfarë nënkuptohet me “garanci sigurie”?
I dërguari i posaçëm i Donald Trump, Steve Witkoff, deklaroi se Rusia ka rënë dakord që SHBA dhe Evropa t’i ofrojnë Ukrainës “garanci të forta sigurie” si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje. Megjithatë, forma konkrete e këtyre garancive mbetet ende e paqartë.
Sipas Witkoff, në samitin e Alaskës u ra dakord që SHBA dhe Evropa të mund të ofrojnë një formulim të ngjashëm me Nenin 5 të NATO-s – klauzola që përcakton se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përshkroi këtë ofertë si “historike”.
Ndërkohë, një “koalicion i vullnetarëve” – ku përfshihen Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania – është zotuar të mbrojë paqen në Ukrainë sapo ajo të arrihet. Ky grup ka sugjeruar vendosjen e një “forcë sigurie” për të mbrojtur hapësirën ajrore e detare të Ukrainës dhe për të rindërtuar forcat e saj të armatosura.
Por, siç vëren korrespondenti diplomatik Paul Adams, ende nuk është e qartë se çfarë strukture do të ketë kjo forcë dhe cilat vende do të angazhohen realisht në terren./l.F-dritare.net

















