Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ju tregoj shtëpinë e kryeministrit në Delvinë!

Ju tregoj shtëpinë e kryeministrit në Delvinë!

Në Delvinë, një nga qytetet më pak të treguara e më të pasura me histori të Shqipërisë, ndodhet një shtëpi që mban brenda kujtimet e një figure të veçantë të kombit shtëpia ku ka lindur Sulejman Delvina.

Kryeministër i Shqipërisë në vitin 1920, përfaqësues i lëvizjeve patriotike të kohës, ministër i Brendshëm dhe i Jashtëm, bashkëpunëtor i Fan Nolit dhe kundërshtar i Esat Pashës Sulejman Delvina ishte një nga burrat e angazhuar e të vendosur për Shqipërinë. Ai u largua nga vendi, jetoi në mërgim, por u kthye për të vdekur në Vlorë. Në varrezat publike të qytetit të tij prehet ai, bashkë me vëllain, që dikur ka qenë kryetar bashkie i Delvinës.

Shtëpia ku ai ka lindur është sot një dëshmi e thjeshtë, por e jashtëzakonshme, për historinë e qytetit dhe patriotizmin shqiptar. Nuk ka shndërrime muzeale, por dhoma e lindjes së tij, mobiluar me stilin e shtëpive të vjetra, të kujton kohërat e shkuara. Edhe pse nuk ruhen sende origjinale, vetë muret dhe atmosfera e saj mbajnë gjallë kujtesën.

Banorët e sotëm e ruajnë me kujdes, edhe pse shpesh e kanë marrë me qira, herë nga shteti, herë nga privatët. Një portë e vjetër hapet, dhe përballë del historia: aty ka lindur kryeministri i vitit 1920, një shqiptar që i dha vendit vizion dhe guxim.

Delvina ka nevojë për fabula, dhe kjo shtëpi është një prej tyre. Një ditë, kur të hapen dyert për publikun, ajo mund të kthehet në një bujtinë “Bujtina Sulejman Delvina” që të ftojë udhëtarët të qëndrojnë në qytet, të mos ikin drejt Sarandës, por të flenë e të shplodhen në Delvinë. Sepse ky vend i vogël ka gjithçka: ajrin e pastër, bimët mjekësore, njerëz punëtorë e mikpritës, dhe mbi të gjitha, historinë.

Shtëpia e Sulejman Delvinës është pjesë e kësaj historie. Një ditë, ajo do të jetë shtëpia e kujtesës së gjithë shqiptarëve./dritare.net