Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Veliaj kërkesë GJKKO-së: Hetimet të shpallen të pavlefshme, drejtësia nuk mund të jetë selektive!

Veliaj kërkesë GJKKO-së: Hetimet të shpallen të

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka paraqitur një kërkesë zyrtare pranë Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ku kërkon shpalljen të pavlefshme dhe të papërdorshme të akteve hetimore të SPAK që lidhen me hetimin ndaj tij.

Në kërkesë, Veliaj rendit një sërë shkeljesh që sipas tij janë kryer nga Prokuroria e Posaçme. Ai pretendon se hetimet janë nisur mbi bazën e një kallëzimi penal të falsifikuar, pa verifikim të identitetit të kallëzuesit, ndërsa veprimet hetimore janë kryer pa regjistrim të procedimit penal për të shmangur afatet dhe kontrollin gjyqësor.

Sipas kryebashkiakut, SPAK ka sekuestruar të dhëna kompjuterike dhe ka lexuar korrespondenca private pa vendim gjykate, ka përdorur ekspertë të varur nga vetë organi i akuzës dhe ka fraksionuar çështjen duke cenuar të drejtën për mbrojtje dhe sigurinë juridike.

Veliaj akuzon gjithashtu se hetimi është kryer nga prokurori Olsi Dado, i cili sipas tij nuk ka pasur kurrë statusin ligjor të prokurorit dhe ka qenë në konflikt interesi për shkak të një leje ndërtimi të marrë më herët nga institucionet e drejtuara prej tij.

"Mungesa totale e çdo veprimi për të identifikuar autorin e kallëzimit në këtë rast përforcon bindjen se Prokuroria nuk ka ushtruar rolin e saj si filtër institucional, por ka vepruar në mënyrë formale dhe të njëanshme, duke trajtuar një tekst të paidentifikueshëm si të ishte një kallëzim legjitim dhe i verifikuar. Kjo mospërmbushje nuk është thjesht një neglizhencë, por për shkak të pozicionit të personit të kallëzuar, krijon dyshime serioze mbi motivimin e ndjekjes penale, paanshmërinë e hetimit dhe legjitimitetin e të gjithë procesit penal.", thuhet në shkresë.

Shkeljet që rendit Veliaj në dokument:

- Hetimi i çështjes nga një shtetas që nuk ka pasur kurrë statusin ligjor të prokurorit, pra një person që juridikisht nuk ka qenë asnjëherë prokuror sipas legjislacionit shqiptar;
- Ushtrimi i ndjekjes penale nga një person në konflikt të pastër interesi me subjektin e hetimit;
- Përdorimi i një kallëzimi penal të falsifikuar si bazë për nisjen e hetimeve, pa asnjë verifikim të identitetit të kallëzuesit;
- Kryerja e veprimeve hetimore pa regjistrim të procedimit penal, për të shmangur afatet, kontrollin gjyqësor dhe kufizimet ligjore;
- Tejkalimi i afateve hetimore përmes fshehjes së statusit të personit nën hetim;
- Sekuestrimi dhe përdorimi i të dhënave kompjuterike pa vendim gjykate dhe leximi i korrespondencave private në mungesë të çdo baze e autorizimi ligjor;
- Cenimi i së drejtës për mbrojtje efektive, përmes refuzimit të kohës së nevojshme për njohje me aktet;
- Përdorimi i ekspertëve të varur nga vetë organi i akuzës, në kundërshtim me standardet e paanshmërisë;
- “Fraksionimi” i çështjes si një mjet për të cenuar të drejtën për mbrojtje dhe sigurinë juridike;

Çështja është aktualisht në shqyrtim nga GJKKO./L.F-dritare.net