Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ja cilin sekret s’e keni dëgjuar për urën e Vashës!

Ja cilin sekret s’e keni dëgjuar për urën e Vashës!

Ura e Vashës, një nga monumentet më të rëndësishme historike dhe kulturore në zonën e Matit, ndodhet mbi lumin Mat, mes Klosit dhe fshatit Guri i Bardhë, vetëm 200 metra larg rrugës së Arbërit. Kjo urë e bukur, ndërtuar në fillim të shekullit të 18-të, është një dëshmi e fuqishme e historisë, kulturës dhe bamirësisë shqiptare.

Inesa Çupi na shoqëroi në një udhëtim drejt Urës së Vashës, një monument i rrallë kulturor e historik që ndodhet në Klos, duke na rrëfyer historitë dhe gojëdhënat që lidhen me këtë vend.

Kjo urë, e ndërtuar rreth 300 vite më parë, njihet jo vetëm për rëndësinë e saj si lidhje mes dy fshatrave, por edhe për legjendat që e shoqërojnë. Një prej tyre tregon historinë e një vajze të familjes së pasur Skura, e cila shiti pajën e saj për të ndërtuar urën, duke bërë të mundur lidhjen dhe bashkëpunimin mes dy komuniteteve. Një tjetër version përmend sakrificën e vajzave shqiptare që, për të mos rënë në duart e pushtuesve osmanë, u flijuan nga kjo urë.

Ura e Vashës ka shërbyer ndër shekuj si urë tregtare, ku kalonin karvanët që lidhnin Tiranën me Dibrën, duke i dhënë zhvillim të madh zonës. Sot, ajo mbetet një destinacion i dashur turistik, i mbrojtur si monument kulture, ku vizitorët gjejnë jo vetëm një copëz historie, por edhe mikpritjen e banorëve vendas.

“Turistët e duan shumë këtë vend, sepse është i lashtë, ka histori dhe ofron një atmosferë të rrallë mes natyrës” – tregon Inesa Çupi, duke shtuar se përveç vizitës në urë, turistët mund të shijojnë edhe gatimet tradicionale të zonës, falë investimeve të familjeve vendase si ajo e Sinajve, të cilët kanë hapur bujtina e hapësira mikpritjeje për vizitorët.

Sot, me ndërtimin e Rrugës së Arbrit, Ura e Vashës është bërë edhe më e aksesueshme, duke tërhequr vizitorë vendas e të huaj që duan të përjetojnë nga afër një pjesë të historisë shqiptare.

Ky destinacion është jo vetëm një monument i trashëgimisë sonë kulturore, por edhe një thesar turistik që vazhdon t’i japë zë zonës së Klosit dhe gjithë Dibrës.