
Fenomeni tronditës në Shqipëri: Fëmijët që vrasin prindërit, rastet e fundit dhe një shqetësim në rritje
Dritare.net
Në vitet e fundit, Shqipëria është tronditur nga një seri ngjarjesh dramatike ku fëmijët kanë vrarë prindërit e tyre. Këto raste, shpesh të lidhura me probleme të shëndetit mendor, konflikte të thella familjare dhe situata të vështira ekonomike, kanë ngritur alarmin për nevojën e ndërhyrjes së institucioneve sociale dhe mjekësore.
Ngjarjet më të fundit:
-2024, Shënavlash, Durrës: Tre fëmijët bashkëpunuan për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të babait të tyre, Pëllumb Meta, 50 vjeç. Ata qëlluan babain me armë zjarri dhe e fshehën trupin në një pus. Ngjarja u zbulua më 23 shkurt.
-2024, Vilë-Bashtovë, Rrogozhinë: Ike Sokoli, 75 vjeç, u gjet e vdekur nga nipi në banesë. Ajo humbi jetën nga dhuna fizike e të birit, Ndriçim Sokoli, 35 vjeç, i cili vuante nga probleme të shëndetit mendor.
-2023, Gjorm, Vlorë: Mato Gllucaj, 23 vjeç, organizoi vrasjen e babait të tij, Durmish Gllucaj, 56 vjeç, duke vendosur një shpërthyes në sobën me gaz në oborrin e shtëpisë. Ai e aktivizoi lëndën plasëse sapo babai iu afrua, duke e vrarë. I riu deklaroi se e vrau të atin, i cili ishte i verbër dhe e dhunonte vazhdimisht.
-2023, Greshnicë, Mallakastër: Mariglen Muhametaj, 30 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, vrau me sende të forta babanë e tij, Qemalin, 73 vjeç. Ai tregoi me detaje skenën e krimit gjatë marrjes në pyetje dhe nuk shfaqi pendesë.
-2021, Bulqizë: Ylber Lezi, 47 vjeç, u vra me sende të forta në banesë nga gruaja dhe vajza e tij, Mine Lezi dhe Aida Lezi, 51 dhe 21 vjeçe. Familja jetonte në kushte të vështira ekonomike, ndërsa gruaja dhe vajza kishin probleme të shëndetit mendor dhe depresion.
-2020, Buçimas, Pogradec: Olsi Çekiçi, 44 vjeç, i sëmurë me probleme mendore, vrau nënën e tij Firdes Çekiçi pas një konflikti verbal. Ai e goditi dhe më pas i preu kokën me kosë, të cilën e varte në portën e shtëpisë. Ngjarja ndodhi në sy të vajzës së mitur.
-2018, Durrës: Qemal Sela, 26 vjeç, qëlloi me plumba automatiku nënën dhe babanë e tij, Flamur dhe Zeqimete Sela, pas një debati për para dhe prona. I riu ishte kthyer nga Anglia dhe kishte konflikte familjare.
-2017, Durrës: Leo Nika, 29 vjeç, vrau prindërit e tij, Ali dhe Jenie Nika, me armë zjarri pas një debati të ashpër. Ngjarja dyshohej të ishte shkaktuar nga probleme psikologjike dhe përdorimi i alkoolit.
-2016, Elbasan: Ardit Zenelhoxha, 30 vjeç, mbyti me duar nënën e tij Hedije Zenelhoxha. Ai vuante nga depresioni dhe kishte vështirësi ekonomike.
Shqetësimet dhe nevoja për ndërhyrje
Këto ngjarje nxjerrin në pah problematikat e thella sociale dhe shëndetësore që përfshijnë familjet shqiptare. Ekspertët theksojnë mungesën e mbështetjes së nevojshme për personat me probleme mendore, si dhe nevojën për programet sociale dhe psikologjike që mund të parandalojnë këto tragjedi.
Institucionet duhet të marrin masa urgjente për trajtimin dhe monitorimin e rasteve me rrezik, për të shmangur përsëritjen e këtyre ngjarjeve tragjike që shokojnë shoqërinë shqiptare./K.C/dritare.net

















