
EMRAT/ SPAK godet sërish grupin e Çopjave. Sekuestro 14 pronave, 10 të arrestuar e 6 në kërkim!
Dritare.net

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka goditur sërish organizatën kriminal të Franc Çopjas në Elbasan, në lidhje me trafikun ndërkombëtar të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës.
Ky grup kriminal, sipas njoftimit zyrtar të SPAK, është me bazë në Elbasan dhe ka trafikuar në Evropë 28 ton kokainë në 2 episode të ndryshme, nga të cilat 17 ton u sekuestruan.
Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, lëshoi 16 urdhër-arreste në total pas operacionit në qytetet Elbasan, Lushnje, Durrës, Tiranë. Nga 16 masa sigurie, 14 masa janë “arrest në burg” dhe 2 “detyrim paraqitje”.
Masat e sigurisë janë zbatuar për 10 persona, ndërsa 6 të tjerë janë në kërkim.
Në Shqipëri janë arrestuar 7 persona; Ervis Çela dhe vëllai i tij Ardian Çela, Petrit Lakatos, Renato Musa, Gert Çerma, Mariglen Kamami dhe Elidon Çela. Ndërsa Franc Çopjaalias Franc Gegeli, është tashmë i arrestuar në Belgjikë. Kurse me masën detyrim paraqitje në vendin tonë janë Ditjon Pepa nga Elbasani dhe Kujtim Gjyla nga Lushnja.
Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi, mëson se dy të arrestuarit që janë lënë me masën detyrim paraqitje, janë shoferët që kanë transportuar paratë për t’i sjellë në Shqipëri.
Report Tv mëson se në kërkim janë Fadil alias Julian Balla, Miklovan Mullai, Denis Daja, Vilson Pepa dhe Riza Çela.
Gjatë aksionit të ditës së sotme për të finalizuar urdhër-arrestet, gjatë kontrolleve në banesa dhe ambiente të tjera janë sekuestruar edhe shuma parash, mbi 111.800 euro cash, 4 mijë dollarë dhe 880 mijë lekë.
Si funksiononte organizata dhe trafiku i drogës?
Sipas SPAK, drejtues i organizatës, krahas Franc Çopjas, ishte Ervis Çela. Ky i fundit së bashku me vëllain e tij Ardianin siguronin kokainën direkt nga prodhuesit. Droga magazinohej dhe bëhej gati për transport në Paraguai. Të dy vëllezërit qëndronin në Paraguai.
Lënda narkotike fshihej në mënyrë të sofistikuar në kuti sapuni, bombola boje dhe kollose ndërtimi, të maskuara me marka tregtare si “Fox” apo me shenja të veçanta dalluese si “Puma” ose “sy me rrufe”.
Këto ngarkesa transportoheshin me kontejnerë detarë nga portet e Amerikës së Jugut drejt porteve të mëdha evropiane, kryesisht Anvers në Belgjikë dhe Hamburgu në Gjermani, ku më pas shpërndaheshin përmes rrjeteve të brendshme të tregut të drogës në BE.
Episodet e trafikut të kokainës
Shtator 2020 – Ervis Çela dhe Franc Çopja në bashkëpunim me një shtetas brazilian, organizuan trafikimin e 11.6 ton kokainë, fshehur në kuti sapuni dhe kuti boje metalike me logon “Fox”. Ngarkesa u nis nga porti i Villeta në Paraguaj dhe mbërriti në Anvers më 04.11.2020.
Në vijim, gjatë operacioneve të policisë në Roterdam, u sekuestruan 600 kg kokainë dhe 2 milionë euro, si dhe u arrestuan shtetasit shqiptarë M.D. dhe N.B.
Dhjetor 2020-Shkurt 2021 - Ervis Çela dhe Franc Çopja organizuan dhe financuan trafikimin e 16.4 ton kokainë, fshehur në bombola metalike me bojë/kollë ndërtimi dhe të stampuara me logo (“sy me rrufe të kuqe”, “Puma”, “shenja infinit”), me vlerë tregu prej 1.5 miliard deri 3.5 miliard euro. Ngarkesa, e shpërndarë në disa kontejnerë, mbërriti në Hamburg më 12.02.2021 dhe u sekuestrua nga autoritetet doganore gjermane.
Si bëhej transporti i parave
Paratë e përfituara nga trafiku i tonelatave kokainë, transportoheshin në Shqipëri. Një prej metodave kryesore ka qenë transporti fizik i parave “cash” nga vendet e BE-së drejt Shqipërisë, duke përdorur shoferë autobusësh kryesisht shqiptar të transportit ndërkombëtar të pasagjerëve. Shoferët që transportonin paratë përfitonin rreth 2% tarifë mbi. Këto pagesa bëheshin drejtpërdrejt nga anëtarët e grupit.
Përveç transportit fizik të parave, organizata kriminale përdorte edhe sistemin informal “Hawala”, ku shumat e mëdha qarkullonin përmes një zinxhiri ndërmjetësish.
Pronat e sekuestruara:
Në kuadër të këtij operacioni, Gjykata e Posaçme ka vendosur nën sekuestro preventive edhe 14 pasurive të llojeve të ndryshme me vlerë miliona euro që i posedojnë anëtarët e kësaj organizate kriminale.
Mes pasurive të sekuestruara janë edhe resorti “Ajman Park” në Xhafzotaj të Durrësit, ku përfshihen hotele, godina shërbimi, restorant dhe ambiente tregtare
Po kështu është sekuestruar vila 2-katëshe ELYSIAN në Dhërmi me vlerë 1 milion euro, një tjetër vilë e porositur në Tiranë më datë 6 nëntor 2024, por që nuk bëhet me dije se ku konkretisht.
Gazetarja Keti Banushi ka mësuar se resorti "Ajman Park" dhe vila 1 milion euro në Dhërmi janë në pronësi të Julian Balla alias Fadil Balla,president i klubit të futbollit Erzeni, ndaj të cilit ka masë sigurie.
Pasuritë e tjera të sekuestruara janë:
Pasuri truall dhe ndërtesa në Tiranë, Sharrë.
Pasuri (me status regjistrim të përkohshëm).
Pasuri nr. 349/45 në bashkëpronësi.
Tokë arë me sipërfaqe 5900 m², Sharrë, Tiranë.
Kuota dhe aksione në shoqëri tregtare:
Kuotat/aksionet në shoqëri tregtare, Kavajë.
Shoqëri tregtare, Durrës.
Shoqëri tregtare, Rrogozhinë.
Shoqëri tregtare, Durrës.
Automjete:
Tre automjete.
Prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Altin Dumani, e kanë konsideruar organizatën e Çopjave si ndër më të fuqishmet dhe që ndikon çmimin e kokainës në tregjet evropiane.
“Kjo organizatë kriminale mund të konsiderohet si një nga organizatat shqiptare më të fuqishme në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Ajo kishte kapacitetin për të ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në tregjet evropiane dhe për të menaxhuar sasi të mëdha të lëndës narkotike në periudha të shkurtra kohore. Fuqia financiare e lartë e kësaj organizate, strukturimi dhe organizimi i një niveli shumë të lartë si dhe aftësia për të rikuperuar humbjet që vinin nga sekuestrimet e dallojnë atë nga grupet e tjera kriminale të hetuara nga SPAK”, janë shprehur dy prokurorët e SPAK.
Kjo është hera e dytë që SPAK godet grupin e Çopjave, pas operacionit të parë në gusht të vitit 2024.
Më 1 gusht 2024, SPAK ushtroi kontroll në 8 ambiente të ndryshme ku u sekuestrua një shumë e madhe parash cash, në valuta të ndryshme dhe lekë, në një shumë totale mbi 1 000 000 (një milion) euro. Gjithashtu u vendos “sekuestro preventive” mbi 42 (dyzet e dy) pasuri, midis të cilave 38 pasuri të paluajtshme, si apartamente, vila, tokë arë, pallat në ndërtim 4 (katër) katësh dhe katër llogari bankare.

















