
Donald Trump ndërton sallën e re të vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë prej 200 milionë dollarësh
Dritare.net
Presidenti amerikan Donald Trump do të realizojë një prej ëndrrave të tij të kahershme: ndërtimin e një salle të re madhështore për evente në Shtëpinë e Bardhë.
Zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt, njoftoi se ndërtimi i sallës së re do të nisë në shtator dhe do të kushtojë rreth 200 milionë dollarë, financuar nga vetë Trump dhe donatorë privatë. Projekti do të zë vendin aktual të Krahut Lindor, ku zakonisht ndodhen zyrat e zonjës së parë. Stafi aktual do të zhvendoset përkohësisht gjatë punimeve.
Salla, me një sipërfaqe prej 90,000 këmbësh katrorë, do të mbajë emrin “Salla Shtetërore e Vallëzimit” dhe do të ketë kapacitet për 650 të ftuar të ulur, trefishi i hapësirës më të madhe aktuale të eventeve, Dhomës Lindore. Ajo do të përdoret për pritje zyrtare dhe aktivitete madhore presidenciale.
Pamjet zyrtare të projektit tregojnë një ambient luksoz. Inspirimi estetik vjen drejtpërdrejt nga resortet e Trump si Mar-a-Lago në Florida dhe Turnberry në Skoci.
“Gjithmonë kam thënë se Shtëpia e Bardhë duhet të ketë një sallë të vërtetë balloje,” u shpreh Trump për mediat. “Do të jetë një trashëgimi e bukur që do të shërbejë për gjeneratat që vijnë.”
Arkitekti i përzgjedhur për projektin është Jim McCrery, i njohur për dizajnin klasik arkitekturor. Ai deklaroi se ndërtimi do të ruajë stilin neoklasik të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa do të shtojë një hapësirë funksionale e prestigjioze për përdorim nga administratat e ardhshme.
Ky projekt pritet të sjellë diskutime rreth ndryshimeve në një prej ndërtesave më historike të SHBA-së, por administrata Trump thotë se gjithçka po bëhet me respekt për historinë dhe trashëgiminë e “Shtëpisë së Popullit”./L.F-dritare.net

















