
Digjet restoranti i agjentit të BKH-së në Theth. Ja dyshimet e para!
Dritare.net
Një restorant në pronësi të agjentit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Petrit Gjeçaj, është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të së enjtes në Theth. Lokali u shkrumbua pothuajse tërësisht, ndërsa fatmirësisht nuk pati persona të lënduar pasi turistët u evakuuan në kohë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, zjarri ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Shërbimet e zjarrfikëses dhe banorët e zonës ndërhynë për të shuar flakët. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit.
Bashkëshortja e pronarit, Aida Gjeçaj, hedh dyshime se ngjarja mund të jetë e qëllimshme, megjithëse përjashton mundësinë e ndonjë konflikti personal apo borxhi. Ajo thekson se energjia elektrike nuk është shkëputur gjatë incidentit, gjë që sipas ekspertëve përjashton mundësinë e shkëndijës elektrike si shkak të zjarrit.
“S’kemi ndërtuar asgjë pa leje, nuk kemi pasur kërcënime. Nuk di nga se mund të ketë ardhur. Dëmi është shumë i madh, afro 150 mijë euro”, tha Aida Gjeçaj.
Ndërkohë, në Theth ka nisur një aksion nga IKMT për prishjen e ndërtimeve pa leje, çka ka shkaktuar tension në zonë dhe reagime nga banorët.
Hetimet janë në vijim për të zbardhur nëse zjarri ka lidhje me detyrën e Gjeçajt si agjent i BKH-së apo me aksionin për shembjet./K.C/dritare.net

















