
Komisioni Evropian ka njoftuar një paketë mbështetjeje prej 2.3 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila synon të ndihmojë vendin në procesin e rindërtimit pas dëmeve të mëdha të shkaktuara nga agresioni rus.
Lajmi është bërë i ditur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë fjalës së saj në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës (Ukraine Recovery Conference 2025), që po zhvillohet në Romë.
Sipas von der Leyen, nga shuma totale, 1.8 miliardë euro do të jepen si kredi, ndërsa 580 milionë euro si grante, të ofruara nga institucione ndërkombëtare dhe entitete publike të financimit. Këto fonde do të shkojnë për sektorë kyç të ekonomisë, rindërtimin e infrastrukturës, energjinë, arsimin dhe shërbimet bazë për qytetarët ukrainas.
“Ukraina mund të mbështetet te Bashkimi Evropian. Ne do të qëndrojmë pranë saj gjatë gjithë këtij procesi të gjatë dhe të vështirë të rindërtimit,” deklaroi von der Leyen, duke theksuar nevojën për një bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme për Ukrainën./K.C/dritare.net

















