

Intervistë unike për Dritare TV dhe një mesazh që sot kumbon më fort se kurrë!
Nga Rudina Xhunga
Ishte një ditë dimri në Jerusalem kur takova David Grossman, një nga zërat më të fuqishëm të paqes në Izrael. Nuk ishte thjesht një intervistë. Ishte një takim i rrallë me një shkrimtar që kishte humbur të birin në luftë, por që nuk kishte humbur asnjë grimë të njerëzores.
“Unë nuk dua të pushtoj askënd,” më tha. “Dua të jetoj një jetë ku energjia ime shkon për krijim, jo për luftë.”
Ishte një bisedë që preku gjithçka: nga letrat në Murin e Lutjeve, te dhimbja e një nëne që dërgon djalin në luftë, dhe te absurditeti i një jete që normalizohet me frikën. Grossman foli për Izraelin që ka lindur nga një traumë dhe që, nga frika, mund të humbasë humanizmin. Ai foli për palestinezët jo si armiq, por si njerëz që nuk i njohim. Dhe kjo mosnjohje është thelbi i konfliktit.
Sot, vite pas asaj interviste, Izraeli është në kufijtë e një tjetër kapitulli tragjik. Pas sulmit të 7 tetorit dhe vendimit për të pushtuar Gazen, ajo çfarë dikur dukej si paralajmërim i Grossman, sot është realitet.
Grossman vete tani, kohe pas intervistes e tha fjalen e fundit. Jo sepse nuk njeh dhimbjen izraelite ai e ka jetuar por sepse ai e ka kuptuar se pushtimi nuk është zgjidhje, por plagë. Ajo që më mbeti nga intervista me të ishte pikërisht kjo: që vetëm duke parë “armikun” si njeri, mund të shpëtosh edhe veten nga errësira.
Ai e tha qartë: “Nëse nuk e njeh tjetrit frikën, shpresën dhe dashurinë, nuk e njeh as veten.” Dhe nëse nuk e njeh veten, mund të bëhesh përbindësh pa e kuptuar.
Në një kohë kur fjala “pushtim” kthehet në program qeveritar, dhe fjala “paqebërës” shihet si dobësi, zëri i Grossman mbetet udhërrëfyes. Ai na mëson se të shkruash, të flasësh, të mendosh me dhe për tjetrin është akti më i guximshëm në kohë lufte.
Kjo ishte dhe mbetet intervista e vetme që Grossman ka dhënë ndonjëherë për një media shqiptare. Dhe për këtë, nuk ishte thjesht privilegj është përgjegjësi.
Sot po e rikthejmë intervistën në kanalin tonë YouTube duke ju ftuar të dëgjojmë zërin e paqes brenda vetes, ndërsa bota rreth nesh kërkon luftë. / dritare.net

















