Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Corriere: Mesazhi i Melonit, për fitoren e Ramës!

Corriere: Mesazhi i Melonit, për fitoren e Ramës!

Corriere della Sera

Rama fiton mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, mban zonën Qendër-Jug dhe pothuajse fiton edhe në Veri, bastion i opozitës. Edi Rama siguron edhe katër vite të tjera në krye të Shqipërisë. Ai është tashmë kryeministri më jetëgjatë në demokracinë ballkanike dhe në shtator do të betohet për mandatin e katërt radhazi.

Populli, ndonëse numërimi vazhdonte më shumë se një ditë pas mbylljes së kutive,i ka dhënë shumicën absolute me 82 mandate nga 140, e ndoshta mund të shtohen. Sali Berisha ka fituar rreth 50 mandate me Partinë Demokratike të qendrës së djathtë.

Pyetje: A e prisnit këtë rezultat kaq të qartë pas 12 vitesh në pushtet?

Rama: “Sinqerisht po, sepse kemi punuar shumë për ta arritur, duke folur me qytetarët me fakte, duke treguar qartë rrugën për një Shqipëri më të mirë për fëmijët tanë. Fokusuam një rinovim brezash në listat tona, përfshimë shumë gra dhe e organizuam partinë si një skuadër në terren.”

Pse shqiptarët zgjodhën sërish PS-në?

“Sepse ne e ndryshuam Shqipërinë me një vizion të qartë dhe këmbëngulje të madhe. Njerëzit nuk janë budallenj, siç mendojnë disa politikanë – ata dinë të dallojnë midis atyre që punojnë me seriozitet dhe atyre që mbeten te retorika e dështimit. Edhe kemi gabuar, kemi kërkuar ndjesë, por kurrë nuk jemi ndalur, kurrë nuk jemi fshehur, kurrë nuk jemi dorëzuar përballë vështirësive dhe kemi ngritur një komb që ndihet krenar.”

Ky rezultat është gjithashtu dëshmi që mungon një opozitë e vërtetë?

“Nuk mendoj se fitojmë sepse opozita humbet, por sepse shqiptarët besojnë në rrugën që po ndjekim së bashku.”

Çfarë tregon për ju vota e diasporës që ju mbështeti në shumicë?

“Më prek sinqerisht. Kush jeton jashtë ka një vizion më të gjerë dhe është më kërkues. Nuk voton për nostalgji, por për vlerësim. Është një votë besimi nga ata që lanë vendin, por jo Shqipërinë. Nëse diaspora beson tek ne, do të thotë se po japim një imazh që i bën krenar.”

Keni pasur kontakt me Melonin? A ju uroi?

“Po, më dërgoi një mesazh si motra vëllait.”

Çfarë do bëni në katër vitet e ardhshme në qeveri?

“Do përfundojmë kantierin e madh evropian të Shqipërisë. Synimi ynë është të mbyllim negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027. Në të njëjtën kohë do të modernizojmë vendin, do të forcojmë shtetin e së drejtës dhe ekonominë, do të mbështesim familjet dhe do të bëjmë të pakthyeshme transformimin 360° të Shqipërisë. Çdo ditë, me përulësi.”

Ju thoni se Shqipëria do të hyjë në BE në 2030. Disa ekspertë thonë më vonë. Si përgjigjeni?

“Ekspertët shpesh kanë të drejtë, por nuk kanë ndryshuar kurrë rrjedhën e historisë. Këtë e bëjnë popujt dhe liderët e vendosur. Nuk bëj parashikime – flas për objektiva. Dhe ky është një objektiv i përbashkët me Brukselin. Nëse Shqipëria vazhdon të bëjë detyrat si deri më tani, do të jetë mëse gati në vitin 2030.”/L.F-dritare.net