
Beteja për Tiranën! Xhelal Mziu: Kush janë kandidatët e PD-së!
Dritare.net
Ndërsa Partia Socialiste ka shpallur tashmë kandidaten e saj për Tiranën, Partia Demokratike ndodhet ende në një proces intensiv për të përzgjedhur figurën që do të përfaqësojë opozitën në garën më të rëndësishme lokale. Deputeti Xhelal Mziu pranoi se mazhoranca ndodhet në një pozitë më komode në zgjedhjet e pjesshme, pasi kontrollon datën dhe kohën e procesit, por këmbënguli se PD po punon për të nxjerrë kandidatin më të mirë.
Një grup pune brenda PD-së po merret me identifikimin e personave me potencial maksimal për të siguruar fitoren.
"Jam i sigurt dhe i bindur që do të konkludohet në një figurë gjithëpërfshirëse," tha Mziu.
I pyetur direkt për një kandidaturë të mundshme si Ilir Alimehmetit, Mziu nuk e fshehu mbështetjen e tij personale. "Për 1000 arsye, unë do ta kuotoja Ilir Ali Mehmetin. Ai ka një gërshetim midis pjesës akademike, është një person publik dhe ka pak kohë i veshur me petkun e një partie. Ai merr dhe një fashë personash jashtë politikës," argumentoi deputeti. Ai gjithashtu e konsideroi Mehmetin si një figurë të 'mitizuar' pozitivisht nga votuesit e Tiranës, pasi mori shumë vota por nuk arriti të bëhej deputet, çka sipas tij, do ta ndihmonte elektoralisht.
Megjithatë, Mziu theksoi se ky është një qëndrim personal dhe se vendimi do të merret nga strukturat përkatëse. Gazetari Roland Qafoku më pas hodhi një tjetër emër në tryezë: atë të kryetarit të grupit parlamentar, Gazment Bardhi.
"Pse nuk kandidon Gazment Bardhi? Ai është numri dy i partisë, një profil i lartë politik. Kështu e kuptoj unë kur thoni se beteja është politike," pyeti Qafoku.
Mziu e kundërshtoi idenë se PD po kërkon me çdo kusht një figurë të lartë politike.
"Nuk është e vërtetë. Modeli Ali Mehmeti kuotohet më shumë se një figurë historike politike e PD-së. Ne po kërkojmë një person që maksimalizon votat, që ka dhe pjesën politike, dhe background-in personal, dhe atë publik, për të kapur fasha të tjera," sqaroi ai, duke hedhur poshtë pretendimet se partia ka vendosur paraprakisht për një profil të caktuar. Kjo lë të kuptohet se gara e brendshme dhe diskutimet për kandidatin ideal për kryeqytetin mbeten të hapura dhe intensive./dritare.net

















