
Aulona Musta: Dhunën Tik-Tok e gjeti mes jush!
Dritare.net
Nga Aulona Musta
Dhunën nuk ju a solli Tik Toku, dhunën Tik Toku e gjeti mes jush do thoshte Skënderbeu i kohëve digjitale… tik tok-u vetëm sa e shpërfaqi.
Unë tik tok-un e kam hapur që në vitin 2020 gjatë pandemisë, si besoj pjesa më e madhe e jona. Për shumë kohë nuk e përdora sepse energjia e atij aplikacioni ishte e tmerrshme. Jo prej gjërave që shikoja, sepse algoritmi im më ka nxjerrë gjithmonë vetëm fushat e mia të interesit, por prej komenteve që lexoja në profilin tim.
Shumë kohë rrija pa postuar, pastaj rikthehesha, për të gjetur sërish të njëjtin ambjent toksik, madje të shumëfishuar. Po të futesh në Tik tok në profile shqiptare, nga 50 komente 40 janë sharje, ofendime, fjalë banale. Kush i bën komentet?
I BËNI JU!!! Ju që ankoheni për dhunën, por dhunën e keni pjesë të pandashme të jetës tuaj.
Në tik tok dhe rrjetet sociale ka pafund profile dhe faqe informuese, argëtuese, por ju zgjidhni të shkoni tek dhuna, sepse ajo ju pëlqen. Ju, PRINDËRIT e fëmijëve dhe adoleshentëve që nuk arrini të kontrolloni dot në radhë të parë emocionet tuaja, dëshirat tuaja, informacionin që doni të merrni për veten tuaj, imagjino pastaj të kontrolloni atë të fëmijëve tuaj.
Të mos kesh dot pushtet dhe kontroll mbi një fëmijë 10/12/14 vjeç, duhet t’i bësh disa pyetje të mira dhe të sinqerta vetes: çfarë po bëj gabim? Gabime si prindër bëjmë të gjithë, kjo është pak por e sigurt, por disa e kanë më të lehtë t’i delegojnë dhe t’i heqin përgjegjësitë nga vetja.
Tik tok-u ka pafund problematika, por jo më të mëdhaja se sa problematikat e shoqërisë shqiptare që në vitet 90 cuan motrat e kushërirat prostituta në Itali, jo më të mëdhaja se sa 97-a në të cilën njerëzit eksitoheshin teksa zbraznin karikatorët ne ballkon dhe vrisnin njerëz të pafajshëm me plumba qorr. Atëherë s’kishte tik tok, por dhuna ishte aty. Njësoj siç vazhdon të jetë edhe sot, sepse dhunën nuk e solli tik toku, dhunën tik toku e gjeti mes nesh…do thoshte Skënderbeu i epokës digjitale./dritare.net

















