
Ari Rex, djali i Flamurtarit që fotografon Rrugën e Qumështit!
Dritare.net
Arlind Rexhepaj, fotografi i yjeve jeton prej 1998-ën në Australi. Ai erdhi sot në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV për të rrëfyer historinë e jetës së tij, si iku nga Vlora me një peshkarexhë drejt Italisë dhe vizën që e çoi në Australi. Ari Rex, djali i Flamurtarit që sot fotografon Rrugën e Qumështit nga Camberra tregoi për gazetaren Rudina Xhunga se si u bë një nga fotografët shqiptarë më të suksesshëm në Australi dhe fitues i një sërë çmimesh kombëtare e ndërkombëtare.
“Kur jetoja në Vlorë isha futbollist me Flamurtarin. Unë ika nga Vlora në 1992-shin me peshkarexhë. U futem 5 veta te pjesa e përparme e peshkarexhës. Ndenjëm aty të pestë për 7-8 orë. Në Vlorë nuk jetonim dot më sepse çdo gjë ishte e shkatërruar. Kjo ishte për të gjithë jo vetëm për ne. Ne shkuam fillimisht në Itali. Në 1997-ën u mundova të kthehesha në Shqipëri dhe u ktheva pak kohë në 1997-ën. Nuk po më pëlqente jetesa në Itali edhe pse kisha një punë të rregullt. Unë e mendoja ndryshe Italinë, por më vriste edhe fakti që isha larg Shqipërisë, sepse atëherë ishte momenti i keq për shqiptarët. Por u ktheva sërish në Itali. Më doli një mundësi që të ikja në Australi. Një mikeshë më ndihmoi të marr vizën për në Australi. Falë lejes që kisha në Itali ia dola ta marr vizën për në Australi. Unë doja të ikja sa më larg Shqipërisë. Në Australi nisa çdo gjë nga e para. Fillimisht punova punë të ndryshme sa mësova gjuhën, bëra disa kurse.
Në 2001-shin u zhvendosëm nga Melbourne në Camberra dhe këtu nisa historinë e fotografisë. Fotografinë e kam pasur qejf gjithmonë. Por nuk e mendoja kurrë që do bëhesha fotograf. Sot përveçse fotografoj, jap dhe mësime workshop-i si të mësojnë të fotografojnë yjet.”, tregon Arlindi në DritareTV./K.C/dritare.net

















